Itali, 10 të arrestuar për trukim ndeshjesh në Serie B. Mes të hetuarve edhe Izzo i Genoas

23/05/2016 00:00

Një operacion i nisur mëngjesin e kësaj të hëne në Napoli ka vënë nën pranga 10 persona, pjesëtarë të grupit mafioz “Vanella Grassi” të Secondiglianos, 7 prej të cilëve përfunduan në burg dhe 3 të tjerë nën arrest shtëpie momentalisht.

Arrestimet janë kryer pas kërkesës së Antimafias italiane, apo sektorit kundër “Camorra”-s, e janë koordinuar nga një prokuror që është marrë edhe me hetimet e skandalit të “Calciopoli”-t.

Në hetim kishin përfunduar aktivitetet e klanit mafioz mbi bastvëniet e paligjshme në lidhje me dy ndeshje të Serie B. Bëhet fjalë për dy takimet Avellino-Reggina 3-0 dhe Modena-Avellino 1-0, të dyja të sezonit 2013-2014, rezultati i të cilave dyshohet të jetë trukuar nga klani mafioz. Për sfidën e parë ekziston edhe një përgjim telefonik, në të cilin thuhet: “Duhet të hamë tre të mira, ta kemi barkun plot”.

Mes të hetuarve ka përfunduar Francesco Millesi, kapiten i Lupit, si dhe Armando Izzo, dikur në Serie B ndërsa sot luan te Genoa dhe sapo është grumbulluar edhe nga Antonio Conte me ekipin e “të kaltërve” të Italisë. Për asnjërin prej tyre nuk ka një masë parandaluese, por ata mendohet të kenë krijuar lidhjet mes kryemafiozit Umberto Accurso dhe financuesve të shumave të mëdha për të korruptuar lojtarët dhe për të influencuar në ndeshjet e mësipërme.

Për Armando Izzon, ku është me të vërtetë një skandal i madh në momentin më të mirë të karrierës së tij, duke qenë se ishte marrë në konsideratë për Europianin e Francës, ndërsa tashmë do t’i duhet të sqarojë pozicionin e tij në hetimet që e përfshijnë edhe atë.

Top Channel