Irak, nis operacioni ushtarak për rimarrjen e Falluxhas nga ISIS

23/05/2016 00:00

Një operacion për rimarrjen e Falluxhas nga i ashtuquajturi Shtet Islamik ka nisur këtë të hënë nga forcat ushtarake irakene, i njoftuar nga vet kryeministri i vendit, Haider al-Abadi. “Momenti i çlirimit të Falluxhës ka mbërritur, jemi në prag të arritjes së një fitoreje të madhe”, tha ai, duke shtuar se militantët xhihadistë nuk kanë “zgjidhje tjetër, veçse të zmbrapsen”.

Ushtria e Irakut i ka paralajmëruar tashmë civilët, në mënyrë që të largohen nga qyteti gjatë kësaj mësymjeje. Ndërsa për ata që nuk munden të braktisin shtëpitë e tyre, ushtria ka njoftuar përmes televizionit shtetëror që të ngrenë flamurin e bardhë mbi shtëpi.

Falluxha ka qenë qyteti i parë i rënë në duart e xhihadistëve në vitin 2014, ndërkohë që shërben edhe si njëra nga dy bazat më të fuqishme të Shtetit Islamik në Irak. Zyrtarët irakenë thonë se do të krijohen edhe korridore të nevojshme për civilët, në mënyrë që ata t’u drejtohen kampeve të strehimit jashtë qytetit.

Agjencia e lajmeve “Reuters” citon rezidentë të këtij qyteti të thonë se, rreth 20 familje u larguan nga një periferi e frontit të luftës ditën e shtunë, por vetëm gjysma e tyre ka mundur të mbërrijë në destinacionin strehues, pasi të tjerët janë vrarë nga eksplozivët e vendosur nga luftëtarët e ISIS përgjatë rrugës.

Ushtria, policia dhe luftëtarë vullnetarë kanë rrethuar qytetin, rreth 65 kilometra në perëndim të Bagdadit. Ndërkohë, faqja e internetit prokurde “Shafaq” njoftoi të dielën se rreth 20 mijë trupa policorë kanë mbërritur në periferitë e Falluxhës, për t’i paraprirë një sulmi të pritshëm.

Militantët xhihadistë nisën një ofensive masive në qershor të vitit 2014, duke pushtuar rajone të tëra në veri dhe perëndim të Bagdadit. Gjithsesi, forcat e sigurisë dhe luftëtarë aleatë i kanë zmbrapsur xhihadistët, edhe me mbështetjen e sulmeve ajrore të udhëhequra prej Shteteve të Bashkuara. Ushtria irakene rimori nën kontroll qytetin fqinj të Ramadit nga kontrolli i xhihadistëve në dhjetor të vitit të kaluar.

Top Channel