Obama mbërrin në Vietnam, njofton heqjen e embargos së armëve

23/05/2016 00:00

Gjatë vizitës së tij në Vietnamin komunist, ku është takuar me udhëheqësit më të lartë të vendit, Presidenti Barack Obama ka njoftuar heqjen e plotë të embargos, që pengonte deri më sot shitjen e armëve vdekjeprurëse ndaj tyre, dikur armiq të Shteteve të Bashkuara.

Ky veprim, siç është shprehur vet kreu i Shtëpisë së Bardhë, heq tashmë një “njollë të vazhdueshme të Luftës së Ftohtë”, ndërkohë që të dy vendet kanë arritur në një “pikë zhvillimi të një niveli të mjaftueshëm besueshmërie dhe bashkëpunimi”.

Vizita e Obamës në vendin e Azisë Juglindore vjen në vazhdën e politikës amerikane për të rikthyer marrëdhëniet edhe me vende dikur armiqësore, ndërsa tashmë të konsideruara si aleatë të Paqësorit.

Vietnami kishte kërkuar prej kohësh dhënien fund të embargos së armëve, e cila ka qenë në fuqi prej dekadash, ndërkohë që një gjë e tillë ishte hequr pjesërisht në vitin 2014, ndërsa tashmë merr formë të plotë dhe përfundimtare.

Obama deklaroi se “nga vizita është bërë e qartë që popujt tanë janë të etur për marrëdhënie edhe më të ngushta”. Vizita e tij vjen 41 vite pas dhënies fund të Luftës së Vietnamit, në të cilën Shtetet e Bashkuara synonin të parandalonin pushtimin e Vietnamit Jugor nga komunistët. Nga ajo luftë mbetën të vdekur miliona civilë vietnamezë, luftëtarë komunistë dhe ushtarë të Vietnamit Jugor, ashtu sikurse edhe 58 mijë ushtarë amerikanë. E gjithsesi, në fund të luftës në vitin 1975, komunistët shtrinë kontrollin e tyre në të gjithë vendin.

Heqja e embargos së armëve duket si një shenjë lejimi për Vietnamit që të përforcojë kapacitetet mbrojtëse të tij, në një periudhë mosmarrëveshjes me fqinjët e Kinës, të cilët në vitin 2014 u shfaqën tepër të pakënaqur me heqjen e pjesshme të embargos në vitin 2014.

Megjithatë, Obama deklaroi se heqja e ndalimit të armatosjes nuk vinte për shkak të Kinës, por si pjesë e një normalizimi afatgjatë të marrëdhënieve me Vietnamit. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë kishin lënë të kuptohet se heqja e embargos do të ndodhte vetëm nëse do të shiheshin përmirësime të të drejtave të njeriut në Vietnam.

Top Channel