Turqia në Euro 2016, surpriza që vjen nga “gjermanët”

22/05/2016 00:00

Turqia është një vend me thuajse 80 milionë banorë, një nga kombet më entuziaste të futbollit në vendin që ndahet mes Europës dhe Azisë.

Tre të mëdhenjtë e Stambollit luajnë në impiante impresionuese dhe me emra cilësorë, por futbolli turk ka një problem. Nuk prodhon mjaftueshëm lojtarë të mirë që mund të bëjnë diferencën edhe në turnetë mes kombëtareve.

Europiani 2016 do të jetë aktiviteti i gjashtë madhor që kombëtarja e Fatih Terim merr pjesë dhe për shumë media, surpriza mund të vijë nga futbollistët turq, të cilët kanë lindur në Gjermani.

Për Ozil, Xhan, apo Gyndoan që ka vendosur të luajë për vendin e lindjes dhe jo origjinës, ka një tjetër seleksion që zgjedh të mbrojë ngjyrat e Turqisë dhe flamurin me gjysmë hëne.

Një pikë e fortë e formacionit turk është Hakan Callhanollu, një mesfushor 22-vjeçar krijues që është edhe specialist në goditjet me top të ndalur. Pikërisht ai shënoi golin vendimtar në Pragë në eliminatore. Ai ka lindur në Manhajm, dhe është formuar në akademinë e Karlsruhes.

Një tjetër lojtar i lindur në Gjermani, por që zgjodhi Turqinë është Nuri Shahin. Ai ishte pjesë esenciale e Dortmundit të Jurgen Klopp, dhe tani mbetet në formacionin bazë të Borusias.

Një tjetër talent i Turqisë i lindur në Kasel të Gjermanisë është Junus Mali, i rritur si futbollist në Gladbach dhe më pas si profesionist te Mainz. Ai luajti për çdo grupmoshë të Gjermanisë, dhe kur duhej zgjedhja finale, preferoi Turqinë.

Pikërisht këta emra, mund të surprizojnë dhe në Euro 2016, e ndoshta si për ironi kundër Gjermanisë ku lindën dhe që mund ta kenë kundërshtare në turneun e muajit tjetër.

Top Channel