Egjipti, tashmë kërkime me nëndetëse për kutitë e zeza të avionit të rrëzuar

22/05/2016 00:00

Në daljen e tij të parë publike për të komentuar rrëzimin e avionit, Presidenti Abdul Fattah al-Sisi është shprehur se “do të bëjmë të pamundurën për të siguruar kutitë e zeza”, të avionit të “EgyptAir”, për të cilin tashmë kanë nisur edhe kërkimet me nëndetëse.

“Airbusi A320” ishte duke fluturuar nga Parisi drejt Kajros me 66 pasagjerë në bord, kur u zhduk papritur nga radarët në orët e para të mëngjesit të së enjtes. Al-Sisi tha se “nuk ka asnjë lloj teorie të përcaktuar që mund të konfirmohet momentalisht”, sa i përket asaj se çfarë e shkaktoi rrëzimin e “MS804”-s. Megjithatë, hetuesit thonë se është pikasur tym në pjesë të ndryshme të kabinës së pilotëve, 3 minuta përpara zhdukjes së tij.

Ministri i Aviacionit Civil të Egjiptit ka njoftuar se mundësia e një sulmi terrorist është ende më e fortë sesa ajo e një defekti teknik, por Presidenti al-Sisi tha se përcaktimi i shkakut do të dojë një kohë të gjatë, duke shtuar se “të gjitha skenaret janë të mundshme”.

Ushtria egjiptjane publikoi imazhet e para të gjetjeve të së shtunës, përfshi këtu jelekët e shpëtimit, sendet personale, pjesë të ndryshme të avionit që tregonin logon “EgyptAir”, gjatë kërkimeve të tyre në detin Mesdhe. Gjatë kërkimeve raportohet të jenë gjetur edhe pjesë trupash dhe bagazhet e udhëtarëve. Por, pjesa kryesore e trupit të avionit, kutitë e zeza që regjistrojnë të dhënat e fluturimit, si dhe pajisjet e transmetimit në kabinë nuk janë gjetur ende.

Top Channel