Turqi, aleati i Erdoganit pritet të emërohet kryeministër

22/05/2016 00:00

Partia turke në pushtet “AK” pritet të emërojë një prej aleatëve më të afërt të Presidentit Recep Tayyip Erdogan në postin e kryetarit të partisë dhe të kryeministrit, pas mosmarrëveshjeve që detyruan Ahmet Davutoglu të jepte dorëheqjen.

Binali Yildirim, i cili jep njëkohësisht dorëheqjen nga posti i ministrit të Transportit, është kandidati i vetëm që do të votohet në Kongresin e partisë “AK”, në Ankara. Detyra e tij parësore do të jetë të mbikëqyrë ndryshimet kushtetuese për të rritur pushtetin e presidentit, bëjnë të ditur korrespondentët.

Ka qenë pikërisht kjo, çështja kryesore që fshihet pas dorëheqjes së papritur të kryeministrit në ikje Davutoglu, edhe pse fillimisht u tha se kishin lindur mosmarrëveshje mes tij dhe Presidentit Erdogan prej akordit të arritur me BE-në për menaxhimin e situatës së refugjatëve sirianë.

Sipas korrespondentëve të BBC-së në Stamboll, Yildirim nuk pritet të dalë jashtë linjave politike të ndjekura prej Erdoganit, ndaj dhe do të jetë i gatshëm të mbështesë ndryshimin e Kushtetutës, që do t’i ndryshonte realisht rolin kreut të shtetit.

Disa udhëheqës të vendeve perëndimore e shohin Erdoganin si një personazh me të cilin vështirë të rakordosh mbi çështje të ndryshme, ndërkohë që kundërshtarët e tij politikë besojnë se nëse Erdogani do të bëhej i pakontrollueshëm në vend, sigurisht që do të merrte masa edhe më të ashpra ndaj disidentëve, apo atyre që nuk pajtohen me politikat e tij.

Megjithatë, mbështetësit e Erdoganit, shumica e të cilëve konservatorë, vijojnë ta shohin atë si njeriun që u dha zë politik atyre, si dhe këmbëngulin në të drejtën e tij për të ushtruar kontroll, pse jo edhe më të madh nga aktualisht.

Yildirim pritet ta marrë detyrën e kryeministrit në një periudhë kur Turqia përballet me kërcënime sigurie nga militantët kurdë të partisë së jashtëligjshme, PKK, si dhe nga i ashtuquajturi Shtet Islamik.

Armëpushimi mes Turqisë dhe Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit mori fund vetëm pak pas zgjedhjeve të qershorit të vitit 2015, ndërkohë që vetëm rinovimi i konfliktit disavjeçar ka marrë jetët e qindra vetëve nga të dyja anët, veçanërisht në rajonet juglindore të Turqisë.

Në një fjalim të mbajtur të enjten, Yildirim e bëri të qartë se do të punonte “në harmoni të plotë” me presidentin dhe me të gjitha nivelet e tjera të partisë në pushtet “AK”. Davutoglu dha dorëheqjen dy javë më parë, pasi dështoi të zgjidhte dallimet e tij me Erdoganin. Davutoglu tha se ai mund të vazhdonte të ishte një ligjvënës i partisë, pasi nuk do të përpiqej të përçante AK-në.

Top Channel