SHBA, anija luftarake e së ardhmes do të ketë kapiten James Kirk

22/05/2016 00:00

Përmes një reference të qëllimshme dhe mjaft argëtuese nga kinematografia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dorëzuar kapitenit James Kirk anijen më të rrezikshme të flotës, sigurisht atë të flotës amerikane dhe jo flotës yjore.

Bëhet fjalë për gjuajtësin më të ri “USS Zumwalt” që nuk kapet nga radarët, një klasë e re anijesh luftarake që do të ndryshojnë mënyrën e luftimit në det. Zyrarisht, anija do të hyjë në detyrë më 15 tetor dhe deri atëherë, kapiteni James Kirk i flotës amerikane dhe jo i “Federatës së Bashkuar të Planeteve”, do të testojë bashkë me ekuipazhin e tij pajisjet tejet të përparuara të gjuajtësit.

Anija 185 metra e gjatë dhe 15.700 tonë e rëndë nuk diktohet nga radari dhe nuk bën zhurmë gjatë lundrimit. Në bord ajo ka armë të së ardhmes që janë ende në zhvillim, si rrezet e energjisë dhe topi elektromagnetik.

Dy anije të tjera si kjo po ndërtohen nga kompania “General Dynamic”, ndërsa kostoja e të trejave bashkë pritet që të arrijë në 22.5 miliardë dollarë. Ndërsa aftësitë e gjuajtësit të ri premtojnë shumë, por nuk janë testuar ende në betejë, nuk ka dyshim që mediet e kanë vlerësuar shumë idenë e dikujt brenda Pentagonit, që çelësat e anijes më të përparuar dhe asaj të së ardhmes në botë t’i dorëzohen një kapiteni me emrin James Kirk.

Një emër mjaft i njohur nga saga “Star Trek” dhe filmat që e kanë pasuar, ku një kapiten i quajtur James Kirk drejtonte anijen kozmike më të përparuar të “Federatës së Bashkuar të Planeteve”.

Top Channel