Kili, fjalimi i Presidentes Bachelet shoqërohet me protesta të dhunshme

22/05/2016 00:00

Protesta të dhunshme shpërthyen në Kili, ndërsa Presidentja e vendit Michelle Bachelet mbante fjalimin e saj para kombit. Demonstruesit ngritën barrikaka dhe hodhën bomba molotov në zonën Valparaiso, ku mblidhet Kongresi i vendit, ndërsa policia u përgjigj me gaz lotsjellës dhe topat e ujit.

Një roje sigurie humbi jetën për shkak të asfiksimit nga tymi, kur protestues të maskuar dogjën një farmaci dhe një supermarket. Analistët thonë se, kilenët janë të zemëruar për shkak të dobësimit të ndjeshëm të ekonomisë dhe skandalit të korrupsionit që ka përfshirë familjen e Presidentes Bachelet.

Kjo e fundit u zgjodh në vitin 2013 duke premtuar se do të reduktonte pabarazinë në vend, e gjatë fjalimit të saj tha se vendi ishte në rrugën e duhur të reformave, nga e cila nuk kishte kthim pas. Ai tha se politikat e qeverisë u garantojnë të gjithëve arsim falas dhe se duhet punuar ende për të kaluar pengesat.

Por duket se shumë kilenë nuk e shohin rrugën përpara të shtruar me ar dhe përkeqësimi ekonomik bën që zemërimi publik të rezultojë në protesta shpesh të dhunshme. Përfshirja në skandalin e korrupsionit të anëtarëve të familjes së presidentes, e cila premtoi drejtësi, nuk e bën më të lehtë situatën për të dhe qeverinë e saj, që shihet si fajtorja kryesore e vështirësive ekonomike dhe sociale në Kili.

Top Channel