“Egypt Air”, vijojnë kërkimet për kutitë e zeza. Fotot e para të gjetjeve

22/05/2016 00:00

Kërkime intensive vazhdojë në Mesdhe për trupin dhe kutitë e zeza të avionit të “EgyptAir”, i cili u zhduk nga radarët të enjten në mëngjes herët. Ndërkohë, ushtria egjiptjane publikoi fotot e sendeve të gjetura gjatë kërkimeve në det, që i përkasin fluturimi fatkeq “MS804”, duke konfirmuar se ai është rrëzuar bashkë me 66 njerëzit në bordin e tij.

Mes sendeve të gjetura përfshihen jelekë shpëtimi, pjesë sediljesh dhe objekte të tjera që kanë shenjën e kompanisë “EgyptAir” mbi to, duke e bërë të qartë se i përkasin avionit të zhdukur. “Airbus 320” po fluturonte nga Parisi drejt Kajros, kur humbi kontaktet me kullën e kontrollit, vetëm pak kilometra pasi kishte hyrë në hapësirën ajrore egjiptjane.

Hetuesit që po merren me çështjen thanë se kanë konfirmuar ndezjen e sensorëve të tymit në disa pjesë të kabinës, 3 minuta para se ai të zhdukej, por ende nuk dihet shkaku. Trupi i avionit dhe kutitë e zeza, që përmbajnë të dhënat e fluturimit, nuk janë gjetur ende dhe kjo e vështirëson ndjeshëm daljen në një përfundim për shkakun e rrëzimit të avionit.

Autoritetet thonë se sinjali për tymin në kabinë u lëshua nga sensorët që gjendeshin në avion, por nuk dinë të thonë pse gjatë minutave që pasuan nuk pati asnjë alarm për ndihmë nga pilotët. Të dhënat e radarit tregojnë se avioni bëri një kthesë të fortë 90 gradë, më pas një tjetër prej 360 gradësh, dhe humbi rreth 8.000 metra lartësi për pak çaste, para se të zhdukej nag radari.

Pilotë të ndryshëm thonë se, kthesa e parë prej 90 gradësh është një manovër që bëhet në rast emergjence për të liruar korridorin ajror. Ndërsa kthesa e dytë prej 360 gradësh tregon se pilotët po përpiqeshin të përballeshin me situatën.

Zyrtarë nga vendet e ndryshme të angazhuara në kërkime dhe hetime thonë se, nuk kanë përjashtuar asnjë mundësi dhe aktualisht pista e një sulmi terrorist është po aq e vlefshme, sa ajo e një defekti teknik.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel