Sulmet ajrore amerikane vrasin udhëheqësin e talebanëve afganë

22/05/2016 00:00

Zyrtarë amerikanë deklaruan se udhëheqësi i talebanëve në Afganistan, Mullah Akhtar Mansour, është vrarë nga një sulm ajror amerikan. Ai dhe një militant tjetër ishin objektivi i sulmit, që u krye në një zonë të izoluar të Pakistanit, në afërsi të kufirit afgan.

Pentagoni tha se Mansour po udhëtonte më një makinë kur u godit dhe se ai ishte shënjestra e sulmit, por u desh pak kohë për të vlerësuar rezultatet. Mansour mori komandën e talebanëve në Afganistan në korrik të vitit 2015, duke zëvendësuar themeluesin dhe kreun shpirtëror të tyre, Mullah Mohammad Omar.

Operacioni i forcave ajrore amerikane u zhvillua në afërsi të qytetit Ahmad Wal dhe u krye me autorizim të Presidentit Barack Obama. Shtëpia e Bardhë tha se autoritetet afgane dhe pakistaneze u lajmëruan pak minuta pas sulmit.

Ndërkohë, edhe pse udhëheqës të tjerë talebanë thanë se lajmi është i rremë dhe se Mansour është gjallë, kanë qenë agjencia afgane e spiunazhit që ka konfirmuar vdekjen e tij. Vdekja e Mansour është një goditje e fortë për talebanët. Ai po forconte ndjeshëm komandën, duke afruar gjithnjë e më shumë grupe talebane nën drejtimin e tij, ndërsa kishte shtuar edhe sulmet ndaj forcave të sigurisë afgane.

Nën komandën e tij, talebanët shënuan fitore të rëndësishme në terren. Analistët thonë se, boshllëku i lënë nga vdekja e tij do të shkaktojë një luftë të brendshme për pushtet mes talebanëve, siç ndodhi më shumë se një vit më parë, kur u konfirmua vdekja e ish-kreut Mullah Mohammad Omar.

Top Channel