Hysenaj zgjidhet në krye të AGK

21/05/2016 00:00

Gazetarët, fotoreporterët dhe operatorët e medieve kosovare kanë zgjedhur redaktorin e gazetës “Zëri” Shkelqim Hysenaj për kryetar të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, ndërsa për këtë pozitë kishin kandiduar edhe Shkumbin Ahmetxhekaj nga RTK dhe Enis Veliu nga Zëri.

Po ashtu, gazetarët kanë votuar edhe tetë anëtarë të bordit të cilët sipas ndryshimeve që u bënë në statut, do të kenë mandat tre vjeçar.

Kryetari i AGK-së Shkelqim Hysenaj ju ka premtuar kolegëve të mediave se do të kujdeset për më shumë të drejta për gazetarët, ndërsa ka paralajmëruar edhe një platformë të re e cila sipas tij do të ndihmojë gazetarët e rinj që të kyçen në praktikë gazetare nëpër mediat kosovare.

Hysenaj i cili prej vitesh punon si gazetar dhe redaktor në media tha se në bashkëpunim me inspektoratin e punës do të përpiqen që të gjitha padrejtësitë ndaj gazetarëve të adresohen nga organet përgjegjëse sipas legjislacionit në fuqi.

Në Kuvendin Zgjedhor të Asociacionit të Gazetarëve ishin të pranishëm edhe ambasadori i OSBE-së në Kosovë i cili e ka ndihmuar në vazhdimësi punën e organizatës por edhe përfaqësues t institucioneve tjera ndërkombëtare në Kosovë.

Në këtë Kuvend u nderuan me mirënjohje anëtarët themelues të Asociacionit të Gazetarëve i cili tani ka arritur që të bëhet edhe anëtarë i federatave ndërkombëtare të gazetarëve.

Top Channel