Rrëzimi i “MH17”-s, padi kundër Putinit e Rusisë

21/05/2016 00:00

Familjet e viktimave të fluturimit MH17 të kompanisë “Malaysia Airlines” kanë paditur Rusinë dhe Presidentin e saj, Vladimir Putin, në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Avioni u rrëzua nga një raketë ruse mbi Ukrainë në vititn 2014, duke shkaktuar vdekjen e 298 personave në bordin e tij. Perëndimi dhe Ukraina thonë se ishin rebelët e mbështetur nga Rusia, ata që rrëzuan avionin, ndërsa Moska fajëson forcat ukrainase.

Sipas medieve, padia e familjeve të viktimave bazohet në shkeljen e së drejtës për jetën. Padia kërkon 7.2 milionë dollarë kompensim për secilin prej viktimave dhe në të përmendet me emër shteti rus dhe Presidenti Putin.

Sipas avokatëve të familjeve, është e vështirë për ta të jetojnë të qetë, ndërsa e dinë se rrëzimi i avionit ishte një krim. Ata thonë se rusët nuk kanë asnjë fakt për të fajësuar Ukrainën, ndërsa në krahun tjetër, paditësit kanë shumë fakte që fajësojnë Rusinë.

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut nuk ka vendosur ende nëse do ta pranojë çështjen, ndërsa familjet e viktimave janë në pritje të verdiktit. Zyrtarisht, Kremlini deklaroi se nuk ka dijeni për këtë padi, ndërsa deputetët rusë brenda partisë së Presidentit Putin thanë se, padia s’ka logjikë ligjore dhe nuk ka asnjë mundësi që të ketë sukses.

Fluturimi i “MH17”-s u rrëzua në kulmin e konfliktit mes forcave ukrainase dhe separatistëve prorusë. Një raport holandez i vitit të shkuar doli në përfundimin se, avioni u godit nga një raketë ruse “BUK”, por nuk tha se kush e lëshoi atë. Shumica e viktimave të tragjedisë ishin holandezë, ndërkohë që një hetim i veçantë penal është duke u zhvilluar për ngjarjen.

Top Channel