Anomali në kabinën e pilotit të Airbusit A320

21/05/2016 00:00

Autoritetet në Kajro publikuan të parat foto nga vendi i tragjedisë, ndërsa vazhdojnë të këmbëngulin në pistën e terrorizmit.

Rrjeti televiziv amerikan CBS pretendon se ekipet e kërkimit mund të kenë lokalizuar vendndodhjen e kutive të zeza të avionit të “Egyptair” të rrëzuar të enjten në detin Mesdhe.

Duke cituar burime pranë qeverisë egjiptjane, CBS thotë se regjistruesi i zërit dhe ai i të dhënave të fluturimit janë diktuar në afërsi të zones ku u gjetën një ditë më parë mbetje të Airbusit A320, objekte personale e më vonë, edhe pjesë trupash.

Të tilla pohime nuk janë konfirmuar zyrtarisht. Raportet e mëhershme për tym në bordin e fluturimit MS804 treguan se vetëm pak minuta pas pikasjes së tij në tualete dhe në sistemin elektrik, nga avioni humbi çdo sinjal.

Informacionin e ofruar nga “Aviation Herald” e konfirmojnë sipas AFP-së edhe hetuesit francezë. Të dhënat për zjarr shtyjnë të mendohet më shumë për një incident fatkeq sesa për bombë, por ekspertët nuk e përjashtojnë edhe mundësinë e një “mekanizmi ndezës” në bord.

“Nëse ka zjarr në bordin e një avioni, siç e dëshmon në këtë rast sistemi ACARS, atëherë diçka ka ndodhur pranë kabinës së pilotit. Mund të ketë qenë një problem mekanik, një qark i shkurtër, apo mbase ndonjë mekanizëm ndezës i çfarëdolloji”, deklaroi David Soucie, ekspert aviacioni.

“Të gjitha teoritë po shqyrtohen”, deklaroi ministri i Jashtëm francez Jean-Marc Ayrault, “dhe asnjëra prej tyre nuk favorizohet më shumë se të tjerat”.

Të dhënat deri tani tregojnë se ka pasur një zjarr në bord e ai është përhapur shumë shpejt, por nëse ka qenë pasojë e një problemi teknik apo ishte i qëllimshëm, kjo nuk mund të thuhet ende.

Në internet kanë nisur të qarkullojnë ndërkohë hipoteza nga më të ndryshmet, përfshirë edhe atë të goditjes së Airbusit nga një meteorit.

Top Channel