“El Chapo”, qeveria meksikane, dritë jeshile ekstradimit

21/05/2016 00:00

Qeveria meksikane ka aprovuar ekstradimin e lordit të drogës Joaquin “El Chapo” Guzman në Shtetet e Bashkuara, për t’u përballur me një seri akuzash, përfshirë trafik droge dhe vrasje.

Avokatët e tij kanë 30 ditë kohë për të apeluar vendimin, por edhe nëse procedohet do të duhen disa muaj që ai të dërgohet në Amerikën e Veriut.

Guzman u arrestua në janar, 6 muaj pasi u arratis përmes një tuneli nga qelia e tij në burgun e sigurisë së lartë. Më herët gjatë muajit, autoritetet meksikane e transferuan atë në një burg pranë kufirit me Shtetet e Bashkuara.

Por ato mohuan që kjo lëvizje të ishte hapi i parë për ekstradimin e tij. Guzman përballet me akuza të ngritura nga 7 prokurorë federalë amerikanë, mes të cilave pastrim parash, vrasje dhe trafik droge.

Avokati i tij, Juan Pablo Badillo deklaroi për agjencinë e lajmeve “Reuters” se në ditët e ardhshme do të nisë kundërshtimin e ekstradimit.

Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme meksikane deklaroi se, SHBA kanë dhënë garancinë se “El Chapo” nuk do të përballet me dënimin me vdekje nëse ekstradimi realizohet.

I lindur në një familje fermerësh, Guzman u kthye në liderin e kartelit të Sinaloas, që për një periudhë kontrollonte pjesën dërrmuese të kokainës që hynte në Shtetet e Bashkuara.

Top Channel