Avioni i “EgyptAir”, alarm tymi në bord përpara zhdukjes

20/05/2016 00:00

Disa ulëse dhe pjesë të avionit, sende personale përfshi valixhet dhe, ato që janë përshkruar si mbetje të trupave të njerëzve. Kjo është panorama e asaj çfarë zyrtarët egjiptianë dhe ata grekë thonë se kërkuesit kanë gjetur deri më tani në përpjekje për të lokalizuar avionin e fluturimit 804 të “EgyptAir”, që është zhdukur orët e para të së enjtes në detin Mesdhe, teksa udhëtonte nga Parisi drejt Kajros.

Ministri grek i Mbrojtjes, Panos Kammenos iu bazua gjetjeve të egjiptjanëve, kur tha se pjesë të trupave, sediljeve dhe valixheve të udhëtarëve ishin zbuluar gjatë konferencës për shtyp të së premtes, duke cituar edhe zyrtarë egjiptjanë. Më vonë, edhe kompania e udhëtimit publikoi një deklaratë, ku thuhej se të tjera eshtra, sende personale dhe pjesë të avionit ishin gjetur.

Ndërkohë, lajmi më i fundit flet për zbulimin e arritur prej të dhënave të fluturimit, prej të cilave mësohet se vetëm pak minuta përpara zhdukjes ka rënë alarmi për tym në bordin e avionit.

Zhvillimet e fundit vijnë pas njoftimit të ushtrisë egjiptjane, që tha se kishte zbuluar gjetjet rreth 290 kilometra në veri të qytetit bregdetar të Aleksandrisë, në Egjipt. “Kërkimet dhe procese gjithëpërfshirëse janë duke u zhvilluar”, tha zëdhënësi i ushtrisë egjiptjane, gjenerali i brigadës Mohammad Samir.

Kammenos shtoi gjithashtu ekipet e kërkimit pjesëmarrëse në këtë operacion “kanë lokalizuar të tjera mbetje në vendndodhje të ndryshme”. “Por, ne nuk kemi ende një njoftim zyrtar nëse këto gjetje kanë të bëjnë me avionin në fjalë”, tha ai.

Avioni po transportonte 56 pasagjerë dhe 10 anëtarë ekuipazhi kur u ngrit nga Aeroporti “Charles de Gaulle” i Parisit natën e së mërkurës. Ai u zhduk nga radarët në orët e mëngjesit të së enjtes, teksa i drejtohej Kajros, pas afro 3 orësh e gjysmë fluturim. Sipas zyrtarëve egjiptianë, dyshohet që të jetë ndërmarrë një akt terrorist.

Top Channel