Rusia propozon sulme ajrore me SHBA-të në Siri. Pentagoni refuzon

20/05/2016 00:00

Rusia i ka propozuar koalicionit të udhëhequr prej Shteteve të Bashkuara, që të ndërmarrin sulme të përbashkëta ajrore ndaj rebelëve sirianë, përfshi grupin e militantëve islamikë të Frontit al-Nusra, të cilët nuk përfshihen në armëpushimin mes forcave qeveritare siriane dhe kryengritësve të opozitës. Lajmi është bërë i ditur nga ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, këtë të premte.

Një veprim i tillë mund të nisë që nga 25 maji dhe të koordinohet së bashku me qeverinë siriane, tha ai gjatë një mbledhjeje në Ministrinë e Mbrojtjes të pasqyruar drejtpërdrejt edhe në televizionin shtetëror, duke shtuar se Moska rezervon gjithsesi të drejtën për të kryer sulme ajrore edhe të njëanshme.

Ndërkohë, Pentagoni bëri të ditur se nuk është njoftuar formalisht mbi këtë propozim nga Ministria ruse e Mbrojtjes, teksa theksoi edhe njëherë se nuk mundet të bashkëpunojë me Rusinë.

“Nuk e kemi marrë ende këtë propozim, por kam parë të njëjtat raportime siç i keni edhe ju”, tha zëdhënësi i Pentagonit, kapiteni Jeff Davis, para gazetarëve. “Mund t’iu them vetëm se, nga pozicioni ku jam unë dhe situata ku ndodhemi sot, ne nuk mund të bashkëpunojmë ose të koordinojmë operacione të tilla në Siri me rusët”. Davis refuzoi të spekulonte në lidhje me një ndryshim të mundshëm të këtij pozicioni.

Uashingtoni ka refuzuar vazhdimisht t’i bashkohet ndonjë operacioni ajror të koordinuar me qeverinë siriane, siç ka bërë edhe në rastin e nisjes së fushatës ajrore të Rusisë në shtator të vitit të kaluar.

Shoigu tha se sulmet e përbashkëta ajrore mund të shënjestrojnë gjithashtu edhe autokolonat që transportojnë armë dhe municione, të cilat vijnë nga Turqia drejt Sirisë.

Dihet që, teksa Rusia mbështet qeverinë e Presidentit Bashar al-Assad, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre në Perëndim e në Gjirin Persik mbështesin rebelët, të cilët janë përpjekur prej vitesh ta rrëzojnë atë nga pushteti.

Gjithsesi, të dyja palët kundërshtojnë Frontin al-Nusra të lidhur me “al-Qaeda”-n, një organizatë që nuk është përfshirë në marrëveshjen e armëpushimit, që përkundër dëshirës, ka dështuar të parandalojë dhunën e përhapur gjerësisht në Siri. Shoigu tha se sulmet e përbashkëta ajrore të propozuara do të ndihmonin në procesin e ngecur të paqes.

“Ne besojmë se adoptimi i të tilla masave do të lejojnë që të arrihet një tranzicion drejt proceseve paqësore në të gjithë territorin e Sirisë. Sigurisht që të tilla masa do të koordinoheshin me udhëheqësit e Republikës arabe të Sirisë”.

Shoigu shtoi gjithashtu se diskutimet me ekspertët ushtarakë amerikanë, që ndodhen në Jordani, si dhe me homologët e tjerë në Gjenevë kanë nisur prej së enjtes. Por, ai nuk harroi të theksonte se “ne gjithsesi rezervojmë të drejtën për të nisur sulme të njëanshme ajrore nga 25 maji, ndaj njësive të grupeve ndërkombëtare terroriste dhe grupeve ilegale të armatosura, të cilat nuk i janë bashkuar armëpushimit”.

Top Channel