Para vizitës në Mal të Zi, Thaçi: Politika do të jetë unike në miratimin e “Demarkacionit”

20/05/2016 00:00

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është optimist se, spektri politik do të jetë unik për të miratuar “Demarkacionin” me Malin e Zi, si kusht për heqjen e vizave.

Një ditë para vizitës në Mal të Zi, ku do të marrë pjesë në ceremoninë për shënimin e 10-vjetorit të Pavarësisë, Thaçi tha se atje nuk do të flasë për tema të veçanta, ndërsa e konsideroi “Demarkacionin” si çështje të mbyllur.

“Unë jam president i vendit, mbështes procedurën e Kuvendit të Kosovës dhe vendimet e mazhorancës. Unë vlerësoj që konsolidimi dhe forcimi i shtetit tonë kalon përmes përcaktimit të qartë të kufijve dhe mendoj se, demarkacioni është në shërbim të kësaj. Besoj gjithashtu që i gjithë spektri politik do të jetë unik në këtë veprim”, tha Hashim Thaçi, President i Kosovës.

Presidenti kosovar i bëri këto komente gjatë inspektimeve që u bëri punimeve në autostradën “Arbën Xhaferri”, e cila lidh Kosovën me Maqedoninë.

Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, i cili shoqëroi Presidentin Thaçi, deklaroi se kjo autostradë me një gjatësi prej 55 kilometrash pritet të hapet për qarkullim në janar të vitit 2018.

“Krahas kësaj po vazhdojmë edhe me rrugë dhe infrastruktura të tjera. Ne po përgatitemi edhe për autostradën e Gjilanit, për autostradën e re Prishtinë-Gjilan, që besojmë se do të fillojë vitin e ardhshëm”, tha Lutfi Zharku, ministër i Infrastrukturës, Kosovë.

Me përfundimin e autostradës për në Shkup dhe nisjes së autostradës për në Gjilan, e cila do të lidhë Kosovën me Luginën e Preshevës, sipas Presidentit Thaçi, Kosova bëhet vendi me infrastrukturën më moderne në rajon.

Top Channel