Indi, temperatura arrin 51 gradë

20/05/2016 00:00

Një qytet në shtetin indian të Raxhastanit theu rekordin e temperaturave në vend duke regjistruar 51gradë celsius, temperatura më e lartë në Indi qëkur këto nisën të maten.

Rekordi i ri i vendosur në qytetin Palodi vjen ndërsa e gjithë India është përfshirë nga i nxehti. Rekordi i mëparshëm prej 50.6 gradë celsius ishte vendosur në vitin 1956. Vala e të nxehtit ka përfshirë të gjithë Indinë Veriore, ku temperaturat prej javësh janë mbi 40 gradë celsius.

Afrimi i sezonit të musoneve në Indi paraprihet gjithnjë nga moti i nxehtë, por temperaturat mbi 50 gradë janë të pazakonta. Autoritetet indiane konfirmuan rekordin e ri të temperaturës më të lartë të regjistruar në vend duke paralajmëruar banorët që të ruhen si të mundin nga i nxehti.

Edhe zyra metereologjike bëri një paralajmërim të tillë, duke thënë se vala e të nxehtit ekstrem do të vazhdojë. Prej javësh në Indi është shpallur emergjenca për shkak të të nxehtit, pasi temperaturat kanë kaluar disa herë 45 gradë celsius.

Këtë viti, i nxehti ka shkaktuar dhjetëra viktima në shtetet jugore te Indisë dhe ekspertët thonë se ulja e temperaturave do ët vijë vetëm me mbërritjen e musoneve që zakonisht fillojnë në mes të qershorit.

Top Channel