Hamilton shuan zërat: Nuk largohem nga Mercedes

20/05/2016 00:00

Lewis Hamilton vendos të flasë në lidhje me zërat e fundit që flisnin për një largim të tij nga Mercedes pas ngjarjeve në garën e fundjavës së kaluar në Barcelonë.

Piloti britanik mohoi në mënyrë kategorike këto zëra duke i premtuar besnikëri të përjetshme skuadrës gjermane.

“Shoh skuadrën time dhe mendoj se jam pjesë e saj dhe dua të vazhdoj të jem edhe pasi të jem tërhequr përfundimisht nga garat”, tha Hamilton i cili shtoi se nuk ka ndërmend të shkojë te Ferrari që është një skuadër e jashtëzakonshme.

“Nuk e kam menduar asnjëherë kalimin të ‘kokëkuqja’ italiane. Nuk e kam aspak zili Vettel. Sigurisht kur isha fëmijë e shihja këtë skuadër si imponuese. Ferrari është i jashtëzakonshëm dhe nuk ka rëndësi nëse bëhet fjalë për makinë rruge apo të Formula 1. Gjithsesi unë jam pjesë e Mercedes dhe ajo që më pëlqen është se shoh që shumë anëtarë të stafit po e kalojnë të gjithë karrierën te kjo skuadër dhe unë nuk mund ta imagjinoj veten jashtë këtij ambienti”, ishte deklarata e britanikut.

Top Channel