NBA, Cleveland fiton sërish ndaj Torontos në Finalet e Lindjes

20/05/2016 00:00

Cleveland Cavaliers bën një tjetër hap drejt finales së madhe të NBA. Skuadra nga Ohajo mposhti sërish Toronton në serinë e ndeshjeve në finalen e Konferencës së Lindjes për të marrë kryesimin në 2-0. Në “Quicken Loans Arena”, Cavaliers arriti ta fitojë këtë përballje me kanadezët 108-89, ku spikati i zakonshmi LeBron James dhe Kyrie Irving.

Toronto iu kundërpërgjigj mjaft mirë lojës së Cleveland në 2 periodat e para, duke marrë edhe kryesimin në 35-34. Por Cavaliers reagoi menjëherë dhe ktheu situatën në favorin e tij falë pikëve të Irving, për të marrë avantazhin me një diferencë +7. Më pas, ishte James i cili thelloi akoma më shumë diferencën duke bërë që skuadrat të shkonin në pushimin e ndeshjes me rezultatin 62-48 për Cleveland.

Pjesa e dytë ishte e gjitha nën diktatin e skuadrës nga Ohio, që në 12 minutëshin e fundit e çoi në +20 diferencën  e pikëve me Raptors që u detyrua të dorëzohej përballë superioritetit të Cleveland. Irving ishte shënuesi më i mirë për Cleveland me 26 pikë, ndërkohë që LeBron James e mbylli sfidën me 23 pikë, 11 topa në tabelë dhe 11 asist.

Seria e finaleve të Konferencës së Lindjes do të transferohet në Kanada, ku do të luhet ndeshja e tretë dhe ajo e katërt, me Cleveland që do të kërkojë të mbyllë menjëherë llogaritë.

Top Channel