Milan-Mihajlovic zgjidhin kontratën me konsensus

20/05/2016 00:00

Sinisa Mihaljovic shkëputet zyrtarisht nga Milani. Trajneri serb dhe drejtuesit e klubit kuqezi gjetën konsensusin për zgjidhjen e kontratës mes tyre me 47-vjeçarin që tashmë është i lirë të kërkojë një tjetër skuadër.

Marrëveshja për zgjidhjen konsensuale mes Milanit dhe Mihajlovicit u arrit pas një takimi të zhvilluar në Romë mes tij e Galianit, me klubin që pranoi të paguajë për llogari të trajnerit edhe një dëmshpërblim.

Sipas medias italiane, destinacioni i ardhshëm për Mihajlovic duket se është Torino. Trajneri aktual i kësaj skuadre, Giampiero Ventura do të marrë drejtimin e përfaqësueses italiane, duke e lënë të lirë vendin e tij. Ndërsa pret caktimin zyrtar në këtë detyrë, Mihajlovic ka filluar të mendojë për futbollistët që dëshiron të ketë në dispozicion dhe në krye të listës është Manolo Gabbiadini.

Ky i fundit nuk ka gjetur shumë hapësira te Napoli për shkak edhe të paraqitjes fantastike të Higuain. Në fakt, Gabbiadini jo pak herë ka shfaqur dëshirën për t’u larguar nga Napoli dhe Torino duket si zgjidhja më e mirë për të duke parë se me shumë gjasa do të jetë sërish nën urdhrat e Mihajlovic me të cilin ka punuar edhe kur ishte te Sampdoria.

Top Channel