Presidentja e Tajvanit mbështet pavarësinë nga Kina

20/05/2016 08:10

Tsai Ing-Wen u betua si presidentja e re e Tajvanit, duke u bërë femra e parë që merr këtë post dhe në mesazhin e saj të parë ajo bëri thirrje për dialog pozitiv me Pekinin. Tsai, e cila shihet si një lider pa pretendime, por e vendosur, udhëhoqi Partinë Progresiste Demokratike drejt një fitoreje bindëse në janar.

Kjo parti tradicionalisht ka mbështetur pavarësinë nga Kina, e cila e cilëson Tajvanin si një provincë separatiste. Madje, në të shkuarën Kina ka kërcënuar se do ta marrë ishullin edhe me forcë nëse është e nevojshme dhe aktualisht ka qindra raketa trë drejtuara drejt tij. Pas betimit, në fjalimin e saj të parë si presidente, Tsai Ing-Wen tha se tajvanezët kanë treguar se janë të angazhuar për mbrojtjen e lirisë dhe demokracisë si mënyrën e tyre të jetesës.

Ajo tha se duhet të promovohet dhe përmirësohet dialogu me Kinën, duke lënë pas historinë për të mirën e të dy popujve. Analistët thonë se fjalimi i saj nuk e kënaq aspak Pekinin, pasi ajo flet qartë për dy popuj dhe dy vende të ndryshme.

Për Kinën, bashkimi me ishullin e Tajvanit është i panegociueshëm, ndërsa banorët e ishullit kanë treguar qartë së fundmi se duan të jenë të pavarur. Fokusi i presidentes së re tek demokracia dhe liria në Tajvan është një tjetër mesazh që mund të zemërojë Pekinin, pasi ajo tha se është përgjegjësi e çdo tajvanezi që t’i mbrojë këto parime. Tajvani vlerëson shumë më lart karakteristikat e shoqërisë së tij dhe vetëqeverisjen sesa lidhjet ekonomike me Kinën, pavarësisht se kjo e fundit është partneri tregtar më i madh i ishullit.

Top Channel