Pasi vrau adoleshentin, shet armën në ankand

20/05/2016 00:00

Pistoleta që u përdor për të vrarë adoleshentin e paarmatosur me ngjyrë Trayvon Martin në vitin 2012, u shit në një ankand privat. Lajmi bëhet i ditur nga faqja e internetit që kreu shitjen, e cila nuk pranoi që të tregonte çmimin e shitjes së armës.

George Zimmerman, i cili qëlloi adoleshentin, u shpall i pafajshëm nga gjykata. Ishte pikërisht Zimmerman, që e nxori në ankand pistoletën duke e quajtur një ikonë amerikane.

Shitja e armës shkaktoi shumë kritika dhe nga ata që mendojnë se Zimmerman thjesht po kërkonte të fitonte para nga vdekja e Martin. Por njerëzit që mbështesin të drejtët për të mbajtur armë thanë se ai thjesht po ushtronte të drejtën e tij sipas ligjit amerikan.

Arma u shit në faqen e internetit “Unitedgungrup.com”, ndërsa më herët faqe të tjera apo edhe shtëpi ankandi zyrtare kishin refuzuar që ta bënin këtë. Trayvon Martin u vra në shkurt të 2012 në Florida nga George Zimmerman, i cili në atë kohë ishte roje lagjeje.

Në gjyq, Zimmerman tha se e përdori armën për vetëmbrojtje pasi u sulmua fizikisht nga adoleshenti. Gjykata i besoi këtij versioni të ngjarjeve dhe e shpalli Zimmermanin të pafajshëm, por vendimi shkaktoi shumë protesta në SHBA.

Top Channel