Kupa e Mbretit, qeveria ndalon flamujt separatistë katalanas. Barcelona apelon

19/05/2016 00:00

Barcelona dorëzoi një padi kundër pezullimit nga ana e qeverisë spanjolle të flamurit separatist të Katalunjës gjatë finales së Kupës së Mbretit, duke argumentuar se përbën shkelje të lirisë së shprehjes. Apelimi i klubit katalanas u dorëzua të enjten, e shoqërohet me justifikimin që bëhet për të mbrojtur të drejtat e tifozëve të tyre.

“Me një veprim të tillë, FC Barcelona mbron dhe do të vazhdojë të mbrojë, lirinë e shprehjes për anëtarët dhe mbështetësit e saj”, shkruan klubi në një deklaratë zyrtare.

Barcelona ka shprehur gjithashtu “mospajtimin e përgjithshëm dhe total” me shpalljen që bëri qeveria ditën e mërkurë, vetëm 4 ditë përpara finales mes katalanasve dhe Sevillas, që do të zhvillohet në Madrid.

“FC Barcelona e konsideron këtë vendim, një sulm ndaj lirisë së shprehjes, të drejtës fundamentale të secilit prej individëve për të shprehur idetë dhe opinionet e tyre në mënyrë të lirë dhe pa censurë”, thotë klubi.

Zyrtarë qeveritarë në Madrid thanë se ndalimi i flamujve të ngarkuar me nota politike është miratuar si pjesë e masave të sigurisë që do të implementohen për ndeshjen që do të luhet në “Vincente Calderon”, aty ku zhvillon ndeshjet e saj shtëpiake ekipi i Atletico Madrid.

Klubi “blaugrana” tha gjithashtu se bazë ligjore e apelimit të tyre ishte edhe “mungesa e arsyeve për këtë masë, sepse ajo presupozon një dëshirë për të qenë ofensive me përdorimin e flamujve të ashtuquajtur Estelada”. Barcelona bëri thirrje për “shfrytëzimin e mirëkuptimit dhe përgjegjshmërisë”, si dhe kërkoi bashkëpunimin e qeverisë në “krijimin e një atmosfere pozitive, ashtu siç e meriton një ndeshje si ajo e finales së Kupës së Mbretit”.

Top Channel