Dyshime se ISIS rrëzoi avionin e “Egypt Air”, terroristët vendosën bombë?

19/05/2016 00:00

Të gjitha dyshimet e ekspertëve për zhdukjen e avionit të “Egypt Air” kanë një emërues të përbashkët: terrorizmi ka gisht dhe jo ndonjë problem teknik i “Airbusit A320”.

Ministri egjiptjan i Aviacionit tha se, probabiliteti është më i lartë që pas këtij skenari të fshihet ISIS dhe jo ndonjë defekt i avionit. Kreu i Agjencisë ruse të Sigurisë, Alexander Bortnikov shtoi gjithashtu se, ka shumë gjasë që ky të jetë sulmi terrorist i radhës.

As Presidenti francez, Francois Hollande, nuk e mohoi këtë. Parlamenti francez votoi për të zgjatur gjendjen e emergjencës edhe për dy muaj të tjerë.

Këtë e përforcon fakti se, Shërbimet e Inteligjencës franceze kishin paralajmëruar një javë më parë një rrezik të madh shënjestrimi nga ISIS, ndërsa kreu i këtij shërbimi në Francë, Patrick Calvar kishte paralajmëruar për sulme që do të vijnë në forma të reja nga militantët.

Kur do të bëheni të mprehtë dhe vigjilentë? Kjo ishte pyetja retorike e kandidatit republikan Donald Trump, i cili shtoi se nuk ka asnjë dyshim që ISIS mban vulën e zhdukjes së avionit.

Fluturimi “MS804” kishte në bord 66 persona, të cilët ishin nisur nga Parisi drejt Kajros, ku 3 prej tyre ishin fëmijë. Shumica e pasagjerëve, 30 persona ishin egjiptjanë, 15 francezë dhe nga një prej këtyre shteteve: Belgjika, Kuvajti, Iraku, Arabia Saudite, Çadi, Portugalia, Algjeria dhe Kanadaja.

Ekspertë të aviacionit thonë se “Airbusi A320” përdorej rregullisht për fluturime që zgjasin nën 3 orë dhe operonte në kushte të jashtëzakonshme sigurie.

Top Channel