Përse radikalizohen të rinjtë? Teologët fajësojnë hoxhallarët për manipulim

19/05/2016 00:00

Teologë dhe sociologë kosovarë kanë fajësuar institucionet e shtetit, të cilat kanë dështuar të artikulojnë qëndrimet rreth luftimit të ekstremizmit dhe ofrimit të mundësisë për sekularizmin.

Në një debat me studentë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, profesori i sociologjisë, Ardian Gola tha se, tanimë në mbarë globin besimi shihet si pasuri dhe ndihmesë për jetën e qytetarëve.

“Sot në botën akademike, ç’është e vërteta nuk ka diskutim sesi të eliminohet besimi, por diskutimi është se cila është në fakt pozita dhe cili është funksioni ose roli, që ky besim mund të kryejë në shoqëritë bashkëkohore”, tha Ardian Gola, sociolog.

Ndërsa profesori i Teologjisë, Lulzim Esati, duke folur për radikalizmin dhe ekstremizmin, i cili në vitet e fundit mori përmasa shqetësuese në Kosovë, duke nxitur dhjetëra të rinj të shkojnë për të luftuar në Siri e Irak, fajësoi hoxhallarët për manipulim gjatë ligjërimeve në xhami.

“Së pari, ata ishin vet viktima të këtij entuziazmi të tepruar. Së dyti, me dozën e madhe të fanatizmit që ua dhanë të rinjve, harruan të pyesin veten nëse këta të rinj fillimisht kanë nevojë për një dozë të madhe edukimi, para se ata të marrin dhe të ngarkohen me një fanatizëm, që i dërgon në veprime dhe në shoqëri që nuk përputhen me ideologjitë e tyre”, tha Lulzim Esati, teolog.

Esati, në fund shtroi pyetjen se, kush do të bartë tani faturën e dërgimit të shumë të rinjve shqiptarë, që shkuan dhe shumica e tyre u vranë në luftëra të huaja?

Top Channel