Tragjedia me avionin egjiptian, gjenden mbetje pranë ishullit grek

19/05/2016 00:00

Arsyet e zhdukjes së avionit të “EgyptAir” nga radarët nuk janë zbardhur ende e praktikisht, nuk ka asnjë pohim zyrtar mbi fatin e tij, por në mediat e huaja kanë nisur të përvijohet një skenar i kobshëm.

AFP citon një zyrtar të aviacionit grek të pohojë se mbetjet e Airbus A320 me 66 persona në bord të nisur nga Parisi drejt Kajros, janë diktuar në afërsi të ishullit grek të Karpathos-it, në ujëra territoriale egjiptiane, çka nuk është konfirmuar nga autoritetet.

Tre prej 56 pasagjereve në bordin e fluturimit MS804 ishin fëmijë, dy nga të cilët foshnjë. 7 janë anëtarët e ekuipazhit dhe tre të tjerë, personel sigurie. Avioni ka qenë duke fluturuar në lartësinë 11,300 metra kur u zhduk mbi Mesdheun Lindor pasi kishte hyrë rreth 16 km në hapësirën ajrore egjiptiane. Ekipe të shpëtimit u dërguan me urgjencë në zonë, ndërsa operacioni po koordinohet me autoritetet greke.

Ekspertë të aviacionit thonë se Airbusi A320s përdorej rregullisht për fluturime që shkojnë nën tre orë dhe kishte “të dhëna të jashtëzakonshme sigurie”. Në këtë pikë, shtypi i huaj nuk përjashton mundësinë e një akti terrorist.

Avioni është nisur nga Parisi në 23:09 me orën lokale dhe në kryeqytetin egjiptian, duhet të mbërrinte pak pas orës 03:00.

Misteri rrethon sakaq alarmin e lëshuar nga avioni përpara zhdukjes nga radarët. Kompania ajrore pretendon se në orën 02:26, Airbusi ka lëshuar një mesazh SOS.

Ndërkohë, një sinjal emergjence që vinte po prej tij u regjistrua ne 04:26, dy orë pasi mjeti kishte humbur çdo gjurmë.

Ai mund të jetë dërguar nga aparatura për lokalizimin e avionit e instaluar në trupin e tij. Egjipti mohon të jetë dërguar ndonjë mesazh për ndihmë e kryeministri Sherif Ismail deklaroi se një hetim mbi ngjarjen ka nisur tashmë, por për çdo rast nuk ka pasur SOS thotë ai, gjithë çfarë është marrë ka qenë sinjali i instrumenteve në bordin e avionit.

30 prej pasagjerëve ishin egjiptiane, 15 franceze, 1 britanik, dy irakianeve, ndërsa ka dhe shtetas nga Kanadaja, Belgjika, Kuvajti, Arabia Saudite, Algjeria, Sudani, Çadi dhe Portugalia.

Top Channel