Emery: Dua të qëndroj përjetë te Sevilla

19/05/2016 14:45

Unai Emery hyn në historinë e futbollit evropian. Trajneri spanjoll, me Sevillan e tij, fitoi Europa League për të tretin vit radhazi, duke u barazuar me Giovanni Trapatonin me 3 triumfe të tillë. Ky sukses nuk bën gjë tjetër veçse e vendos sërish Emeryn në qendër të zërave të merkatos së trajnerëve.

Pas Milanit, tani është Evertoni që e kërkon teknikun e Sevillas, për të zëvendësuar Roberto Martinez.
 
Por Emery duket se nuk ka ndërmend të braktisë Sevillan, madje ai theksoi se dëshiron të mbyllë karrierën pikërisht te kjo skuadër.

“Jam shumë i lumtur këtu. Tani do të përgatitemi për të tashmen dhe të ardhmen. Kam filluar të mendoj se do të qëndroj këtu përjetë, por e di shumë mirë sesi shkojnë gjërat në futboll. Nuk e di se çfarë do të ndodhë”, tha Emery.

Sevilla nuk e ka mbyllur ende sezonin.Skuadra andaluziane ka edhe një sfidë për të luajtur, atë të së dielës me Barcelonën, në finalen e Kupës së Mbretit.

Top Channel