Svetozar Maroviç, që shërbeu si president i shtetit të përbashkët të Serbisë dhe Malit të Zi deri në ndarjen e tyre, ka nënshkruar një marrëveshjeje me prokurorët që e akuzojnë për përfshirje në një seri rastesh korruptive, përmes të cilës ka marrë përsipër përgjegjësinë por edhe lirimin nga burgu.

Sipas avokatit të Maroviç, Zdravko Begoviç, klienti i tij ka firmosur një marrëveshje përmes të cilës pranon fajin për një çështje për marrje ryshfeti. Megjithatë, Begoviç nuk ka dhënë detaje për marrëveshjen në fjalë, me argumentin se përbën sekret hetimor.

Maroviç u arrestua në dhjetor të vitit 2015, i fundit i një serie arrestimesh ku u përfshinë bashkëpunëtorë dhe familjarë të tij. Autoritetet malazeze vunë në pranga 13 persona, përfshirë vëllain e Maroviç, njëkohësisht sekretarin e atëhershëm të investimeve në Budva, Dragan Maroviç; si dhe vajzën e tij, Milena Bogdanoviç.

Ata akuzoheshin për marrëveshje fiktive me kompani private ndërtimi, veprime që sipas autoriteteve kanë dëmtuar buxhetin vendor të qytetit të Budvës me mbi 10 milionë euro.

Prokurori i posaçëm për hetimin e Krimit të Organizuar, Milivoje Katniç deklaroi se hetimi i këtyre rasteve ishte edhe më i gjerë dhe arrinte tek vetë Svetozar Maroviç, i cili në fund të vitit të kaluar u vu në pranga. 

Top Channel