NBA, Golden State barazon serinë me Oklahomën

19/05/2016 00:00

Golden State Warriors i kundërpërgjigjet Oklahomës në serinë e ndeshjeve finale të Konferencës së Perëndimit në NBA. Në “Oracle Arena”, skuadra e drejtuar nga Steve Kerr fitoi ndeshjen e dytë me rezultatin 118-91, për të barazuar gjithçka në 1-1.

Oklahoma tregoi se është në gjendje që të vërë në vështirësi kampionët në fuqi të NBA dhe i rezistoi Warriors në dy periodat e para, duke e mbajtur këtë ndeshje në ekuilibër.

Në periodën e tretë gjërat ndryshuan në favor të Golden State dhe kjo falë yllit të saj Stephen Curry, i cili në 2 minutat e fundit të këtij 12 minutëshi shënoi 15 pikë, ndërkohë që sfidën ai e mbylli me 28 pikë personale. Ndërkohë, Klay Thompson shënoi 15 pikë.

Në krahun tjetër, Kevin Durant e mbylli takimin me 29 pikë, 23 nga të cilat vetëm në pjesën e parë, kurse Westbrook nuk shkoi më shumë se 16 pikë personale, një shifër që nuk është e standardit të tij.

Sfida e tretë e finales së Konferencës së Perëndimit do të luhet në shtëpinë e Thunder, në Oklahoma, me Golden State që do të kërkojë të godasë kundërshtarin, për ta vendosur situatën e këtij sezoni në favorin e tij.

Top Channel