Kanada, kryeministri Trudeau kërkon ndjesë për fyerjet

19/05/2016 11:20

Kryeministri kanadez Justin Trudeau kërkoi ndjesë të mërkurën në Parlament, pas akuzave se trajtoi me ashpërsi një ligjvënës konservator në kohën kur Dhoma e Përfaqësuesve diskutonte mbi projektligjin e vdekjes së asistuar.

Pamjet filmike e tregojnë Trudeau duke ecur mes një grupi deputetësh, ku kap nga krahu opozitarin Gord Brown në përpjekje për ta ulur në karriken e tij.

Edhe ligjvënësja e Partisë së Re Demokratike, Ruth-Ellen Brosseau pretendon se gjatë përplasjes që pasoi, shefi i ekzekutivit i ra me bërryl në gjoks. Trudeau më vonë i kërkoi ndjesë pa rezerva zonjës Brosseau.

Kryeministri, njëkohësisht lider i Partisë Liberale, pati dhe një shkëmbim të ashpër verbal me liderin e Partisë së Re Demokratike, Mulcair, i cili i kishte bërtitur me të madhe: “çfarë burri është ai që godet me bërryl një grua? Je komplet patetik!”.

CBC raporton se Trudeau nuk u përmbajt dot dhe kaloi në fyerje. “Nuk kam parë kurrë në këtë dhomë një sjellje tallëse nga një politikan kanadez, le më pastaj nga kreu i qeverisë”, deklaroi ligjvënësi konservator nga Ontario, David Sweet.

Incidenti konsiderohet një gabim i rrallë për kryeministrin e ri, tejet popullor brenda Kanadasë dhe jashtë saj.

Top Channel