Alonso e Hamilton, tani së bashku te Mercedes!

19/05/2016 00:00

Fernando Alonso mund të bëhet sërish shok skuadre me Lewis Hamilton dhe këtë radhë te Mercedes. Është vetë Toto Wolff që e ka pranuar këtë  në një intervistë të dhënë për të përditshmen spanjolle “El Mundo”.

“Nëse Rosberg nuk dëshiron të rinovojë kontratën atëherë do të marrim në konsideratë opsione të tjera si Fernando Alonso. Mosha e spanjollit nuk përbën problem për ne. Ai vazhdon të jetë pilot i shpejtë dhe i motivuar. Prioriteti ynë është të mbajmë Nico Rosberg, por Alonso është ndër pilotët më të mirë në historinë e Formula 1, e admiroj karakterin e tij”, tha Wolff.

Wolff në të njëjtën intervistë zbuloi se Mercedes edhe më parë ishte i interesuar për të pasur Alonson në radhët e saj, por një lëvizje e tillë nuk u realizua për shkak të rrethanave të krijuara.

“Fernando i studioi mundësitë e tij dhe një prej tyre ishte edhe Mercedes. Ai erdhi te ne, por në atë kohë nuk mund të bënim gjë pasi ishim në bisedime me Hamilton të cilit i kishim premtuar se nuk do të flisnim me pilotë të tjerë”, tregoi Wolff.

Top Channel