Meteor në Portland

19/05/2016 00:00

Duket si një skenë filmi, në fakt pjesa e keqe e një filmi, kur toka gjunjëzohet para ndonjë evenimenti astronomik dhe të gjithë duhet të shkojnë të jetojnë në hënë.

Për pak sekonda, qielli mbi qytetin e Portlandit në SHBA u ndriçua nga një lëmsh i zjarrtë që kaloi përmes atmosferës së tokës, fatmirësisht pa pasoja kinematografike.

Pamjet u bënë publike nga policia e Portlandit, pasi meteori u filmua nga kamerat në makinat e shërbimit. Sipas astronomëve, ngjarje të tilla janë shumë të zakonshme, por shumë rrallë mund të shihen e akoma më rrallë të filmohen.

Astronomët sqaruan se lëmshi i zjarrtë, termi astronomik për të përshkruar një ngjarje të tillë, shfaqet kur meteorë hyjnë në atmosferën e tokës dhe digjen nga fërkimi me të. Ata thanë se nga videot e publikuara, ky meteor duhet të ketë pasur përmasat e një makine.

Ekspertët thonë se këto janë evenimente totalisht të padëmshme që ndodhin përditë në tokë, por nëse ke mundësinë t’i shohësh ndërsa ndodhin, duhet të konsiderohesh njeri me fat, pasi zor se ndodh më shumë se një herë në jetë.

Top Channel