Një bandë grabitësish është shkatërruar nga policia greke në kryeqytetin helen, Athinë. Sipas autoriteteve greke, në pranga kanë rënë 15 shqiptarë të moshave nga 22 në 51 vjeç dhe një shtetas grek, 41. Aksioni u zhvillua paraditen e së mërkurës në lagjet Pagrati, Ilisia, Neos Kozmos dhe Ajos Pandeleimonas të kryeqytetit.

Nga kontrollet e kryera në banesat e të ndaluarve u gjetën sasi të mëdha sendesh të vjedhura, të arta e me vlerë të madhe, si dhe pajisje shtëpiake, mjete që përdoreshin për thyerjen e parvazëve të aluminit në banesat e grabitura, 2 armë zjarri, 5 thika, si dhe 6 automjete e 2 motorçikleta.

Autoritetet greke deklaruan se gjatë hetimeve të kryera kanç zbardhur më shumë se 33 grabitje, ndërsa dyshohet se dhuna e ushtruar nga grabitësit në një banesë ka shkaktuar dhe vdekjen e një 84-vjeçareje, të cilën e goditën me grushta në momentin që ajo i pikasi gjatë vjedhjes.

Policia greke thotë se anëtarët e bandës i zgjidhnin me kujdes banesat që grabisnin dhe pasi mbulonin karakteristikat e fytyrës hynin në to dhe nuk ngurronin të ushtronin dhunë ndaj kujtdo që tentonte t’i pengonte.

Në vazhdim ata merrnin sendet me vlerë dhe pajisjet elektroshtëpiake, një pjesë të të cilave i shisnin në tregun e brendshëm të sendeve të vjedhura, ndërsa pjesën tjetër e dërgonin me autobusë drejt Shqipërisë.

Kreu i organizatës dyshohet se është 51-vjeçari shqiptar, nga Fieri dhe i dënuar më parë për vepra të ngjashme penale. Hetuesit thanë se, të arrestuarit kishin detyra të caktuara në organizatën kriminale. Ata u dërguan në Gjykatën e Athinës, e cila vendosi t’i lërë në burg deri në përfundimin e hetimeve.

Top Channel