Shqiptarët në trojet e tyre para Luftës së Parë Botërore vijnë në objektivin e një aparati fotografik, që studiuesja angleze Edith Durham ka shkrepur përgjatë udhëtimit të saj në Shqipëri, Kosovë dhe Mal të Zi.

Dallohen lehtësisht veshjet karakteristike, tiparet e tyre, vendet historike, ngjarje nga jeta e zakonshme, e deri te virgjëreshat shqiptare. Këto fotografi janë zbuluar nga studiuesi Robert Elsie, në Institutin Mbretëror Antropologjik në Londër.

“Edith Durham ishte në Shqipëri kryesisht në vitet para Luftës së Parë Botërore dhe mori një aparat fotografik me vete, gjë që nuk dihej me vete. Në arkivë ishin gjithsej 450 fotografi në Angli, të cilat tashmë shihen për herë të parë”, tha Dr. Robert Elsie, studiues.

Në këtë fond fotografish, Miss Durham i foli Shqipërisë nëpërmjet imazhit, duke paraqitur aventurën e madhe shqiptare të saj, përtej veprës së saj të shkruar.

“Këtu janë fotografitë që Edith Durham kishte bërë vet. Kur është kthyer në Londër, pamjet e Shqipërisë i ka dhënë për publikun anglez. Fotografitë më pas, për një shekull të tërë kanë qenë në arkiv. Ndërsa ne i nxorrëm prej andej dhe po i shfaqim”, tha më tej Robert Elsie.

Një kronikë e re e shqiptarëve të asaj kohe, nëpërmjet një mediumi të ri. Fotografi që nuk kanë një mesazh të caktuar, por që paraqesin tablonë e një Shqipërie të përjetshme.

“Me një bashkëpunim të Institutit Mbretëror shpresojmë të botojmë një album”, deklaroi studiuesi Elsie.

Top Channel