Zbulohet “testamenti” i atentatorit Abrini: Mbështeti sulmet në Paris dhe Bruksel

18/05/2016 00:00

Sulmet e Brukselit janë ende “të gjalla” në kujtesën e shumëkujt, por për autoritetet hetuese janë gjithashtu edhe proces i vazhdueshëm pune, teksa prokurorët kanë zbuluar një “testament të fundit” të shkruar nga i mbijetuari kyç i dyshuar i bombardimeve të muajit mars në kryeqytetin belg, sipas medias franceze.

Teksti, i gjetur në një kompjuter të hedhur në një kosh mbeturinash, i është atribuuar Mohamed Abrinit, të njohur ndryshe edhe si “njeriu me kapelë” i kapur nga kamerat e mbikëqyrjes së aeroportit të Brukselit në krah të dy kamikazëve të tjerë të vetëvrarë. Pas kapjes së tij në muajin prill, ai u kishte thënë prokurorëve belgë se “ai nuk do të mundej të vriste as edhe një mizë”. Por, teksti i zbuluar sugjeron se ai kishte miratuar sulmet terroriste në Paris, nëntorin e kaluar, si dhe shprehte dëshirën për të vdekur si martir madje.

Mohamed Abrini është përpjekur ta fshinte atë tekst që u gjet në kompjuter, duke e vendosur në “koshin” e kompjuterit, siç raporton kanali televiziv francez “BFMTV”. Thuhet që kompjuteri është gjetur në Schaerbeek, një lagje e Brukselit, që besohet se ka shërbyer si një strehë e agresorëve dhe të dyshuarve të Parisit, të cilët ideuan e vunë në praktikë edhe sulmin në Aeroportin e Zaventemit në kryeqytetin belg.

Deklarata e Abrinit është zbuluar në një kompjuter të gjetur në një kosh mbeturinash në rrugën “Max Roos”, vetëm një ditë pas sulmeve të 22 marsit në Bruksel. Hetuesit kanë zbuluar gjithashtu se kompjuteri përmbante një deklaratë të atribuuar atentatorit tjetër në Bruksel, Ibrahim el-Bakraoui.

Ende nuk dihet pse ekzistenca e këtij teksti të fundit është bërë e ditur pikërisht tani. Megjithatë, dihet se përmbajtja e atij kompjuteri ka qenë kyçe në hetimet e prokurorëve belgë, ndërsa një koment mbi këtë ngjarje ka refuzuar ta japë edhe prokurori federal i Belgjikës, i pyetur mbi raportin e kësaj të mërkure.

Në tekstin që daton më 2 shkurt, Mohamed Abrini shpjegon se vdekja e vëllait të tij nga një bombardim në Siri, në korrik të vitit 2014, e detyroi atë drejt besimit ekstrem, bën të ditur “BFMTV”. Pas kësaj, 31-vjeçari belg dhe me origjinë nga Maroku, kishte vendosur t’i bashkohej grupit xhihadist të Shtetit Islamik. Ai i përshkruan atentatorët e sulmeve të Parisit si “heronj”, i ka kërkuar falje nënës së tij, ndërsa priste që ta takonte atë në “parajsë” së bashku me të vëllanë. Deklarata është firmosur në fund me emrin “luftarak” të të vëllait, Abu Yaya.

Abrini është mbajtur në një burg të Bryzhit, që kur u kap në lagjen e Anderlechtit në Bruksel më 8 prill, pas më shumë se dy javësh prej sulmeve në aeroport dhe në stacionin e metrosë, që lanë 32 persona të vdekur. Ai është hetuar gjithashtu për lidhje me sulmet e Parisit, që vranë 130 persona. Abrini është filmuar gjithashtu edhe në një stacion karburantesh në veri të Francës, së bashku me të dyshuarin Salah Abdeslam, dy ditë pas sulmeve të 13 nëntorit në Paris. Gjurmët e gishtërinjve të tij u gjetën në një automjet të tipit “Renault”, ditën e vrasjeve.

Top Channel