Lampeduza, emigrantët i vënë flakën qendrës së strehimit në shenjë proteste

18/05/2016 00:00

Grupe emigrantësh i vunë flakën një qendre të strehimit të tyre në ishullin italian të Lampeduzës, çfarë dëshmon rritjen e tensioneve në strehimoret e tejmbushura të vendit, ku vazhdojnë të mbërrijnë refugjatë të tjerë.

Kryebashkiakja e Lampeduzës, Giusi Nicolini sqaroi se i është vënë flaka një ndërtesë, ndërsa 4 personat e dyshuar për këtë akt janë identifikuar që të gjithë. Shkalla e dëmeve nuk është përcaktuar ende, gjithsesi.

Kjo qendër është djegur dhe dy herë të tjera në të kaluarën, një herë në 2009-n, e pas kësaj edhe në 2011-n. Ajo ka qenë vendi i parë i pritjes për emigrantët e zbarkuar në këtë ishull nga deti, pas nisjes nga brigjet e Afrikës.

Gjatë dy viteve të fundit, duke ndjekur rrugën e Mesdheut, në Itali kanë mbërritur mbi 320 mijë varka me emigrantë. Qendra në fjalë është vendi ku zyrtarë italianë dhe të BE-së punojnë së bashku për identifikimin e azilkërkuesve e marrjes së shenjave të gishtërinjve të tyre, përpara se atyre t’u lejohet kalimi në tokë.

Sipas ligjeve europiane, emigrantët duhet të qëndrojnë në shtetin e parë të bllokut, ku kanë vënë këmbë, dhe kjo përcaktohet pikërisht nga dhënia e shenjave të gishtërinjve, çfarë nervozon shumicën e atyre që nuk duan të mbeten në Itali, por të vazhdojnë udhëtimin në veri.

Top Channel