Presidencialet, Clinton merr Kentuckyn, ndërsa Sanders Oregonin

18/05/2016 00:00

Hillary Clinton shpalli fitoren në zgjedhjet paraprake të Kentuckyt, ndërsa rivali i saj për nominim brenda kampit demokrat, Bernie Sanders mori Oregonin.

Mundësitë e tij nuk janë të mëdha për zyrtarizim në muajin korrik, si përfaqësues i demokratëve në Presidencialet e nëntorit, por senatori nga Vermonti po u reziston thirrjeve për të lënë garën, e këmbëngul se do të qëndrojë deri në “votën e fundit”.

Fitorja e ish-Sekretares së Shtetit në Kentucky ishte tepër e ngushtë. Ajo nuk arriti të dilte në krye veçse me 0.5% të votave.

“E dini, kur e nisëm këtë fushatë një vit më parë, ishim 60 pikë prapa Sekretares Clinton në sondazhe. Nuk kishim asnjë organizatë politike, nuk kishim parà e s’na njihte njeri. Mediet dhe analistët dolën në përfundimin se kandidatura ime ishte e dorës së dytë. Epo këtë vit, gjërat kanë ndryshuar shumë”, tha Sanders.

Ndërkohë në “Youtube” ka marrë 7 milionë klikime, ai që mund të përshkruhet si makthi virtual i Hillary Clintonit: Një video e postuar nga Michael Armstrong dhe e rimarrë nga “Washington Post”, e cila vë në krah të njëra-tjetrës një sërë deklaratash kontradiktore të ish-Zonjës së Parë.

Që nga martesat “gay” që i dënonte me forcë në 2002-shin, por i mbështeti në 2013-n; vizita në Bosnje në ’96-n kur pretendoi se ishte vënë në shënjestër të një snajperi, por kjo nuk u vërtetua kurrë; e deri tek “e-mail”-et zyrtare në serverin e saj. Janë 13 minuta, siç thuhet, të mbushura me gënjeshtra, e në politikën amerikane, të gënjesh konsiderohet mëkat i madh.

Në krahun tjetër të spektrit politik, edhe republikanët votuan në Oregon, por kjo garë tashmë bëhet vetëm sa për të respektuar rregullat, pasi Donald Trump, i cili edhe doli i fituar, është i vetëm në garë për shkak të tërheqjes së rivalëve të tij.

Top Channel