Tifozi pagoi 100 mijë euro për fanellën e Zidane

18/05/2016 00:00

Zinedine Zidane është një idhull në “Santiago Bernabeu”, por në Francë ai është një simbol kombëtar. Në vendin transalpin, një tifoz, specialist në koleksionimin e fanellave të futbollit arriti deri aty sa të paguajë 100 mijë euro për bluzën që kishte veshur Zidane në finalen e Botërorit të vitit 1998 e fituar nga “blutë”.

Bëhet fjalë për Olivie Demolis i cili për median franceze tregon sesi arriti ta blejë fanellën e Zidane. “Personat pranë presidentit të Montpellie më thanë se ai që e kishte në zotërim fanellën e Zidane ishte një futbollist i përfaqësueses franceze dhe donte ta shiste”, tregon Olivier Demolis.

Megjithatë Demolis, përpara se ta blinte fanellën shkoi në selinë e “Adidas” në Francë për të vërtetuar nëse ajo ishte autentike nëpërmjet elementëve që vetëm kjo markë e veshjeve sportive i njeh.

Aty Demolis mori garancinë që fanella e blerë ishte pikërisht ajo e përdorur nga Zidane. Ideja e këtij koleksionisti është që kjo fanellë të ekspozohet në muzeun FIFA-s në Zyrih.

Zidane i ka tashmë 2 objekte në një muze tjetër, atë të “Santiago Bernabeut”. Aty gjenden këpucët që francezi kishte veshur në finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2002 ku shënoi edhe golin e famshëm fluturimthi ndaj Leverkusen si dhe fanella që ai kishte veshur ditën që mbylli karrierën e tij si futbollist te Reali i Madridit.

Top Channel