Barcelona turistike, e kërcënuar nga ndotja e ajrit dhe ajo akustike

17/05/2016 00:00

Barcelona mbetet një nga qytetet më të preferuara për turistët, por kohët e fundit është kthyer në mankthin e banorëve që jetojnë çdo ditë atje. Kjo, për shkak të zhurmës së madhe dhe trafikut të shumtë, që ka shkaktuar jo pak, por nivele të larta të ndotjes.

Në këtë situatë kaosi, bashkia ka ditur të mendojë dhe veprojë menjëherë për qytetarët e saj. “Superblloqe” quhet shpëtimi i Barcelonës, duke iu referuar kështu planit ambicioz, i cili do të lirojë rreth 60% të rrugëve që përdoren aktualisht për makinat, duke i kthyer ato në “hapësirat e qytetarëve”.

Në kryeqytetin katalanas do të krijohen këto lagje të vogla, ku makinat nuk do të kalojnë më mes për mes, por vetëm rreth tyre. Pra rrugët dytësore të Barcelonës do të jenë hapësira mbushëse me jetë të kryeqytetit.

Ky plan do të fillojë të vihet në zbatim në lagjen e famshme të “Eixample”. Sipas disa studimeve, ndotja e ajrit shkakton 3.500 vdekje të parakohshme në vit në Barcelonë. Po ashtu, numri i aksidenteve automobilistike është rritur në mënyrë drastike.

Nga ana tjetër, një në 5 persona vuan nga obeziteti, si mungesë e hapësirave të gjelbërta dhe nga lëvizja me makina. Qyteti ka vetëm 6.6 metra katrorë sipërfaqe të gjelbër për banor, kur Organizata Botërore e Shëndetësisë sugjeron, që çdo qytet në botë të ketë të paktën 9 metra katrorë gjelbërim për frymë.

Top Channel