Makthi nga dronët, Franca merr masa inovative përpara “Euro 2016”

17/05/2016 00:00

Një pajisje fluturuese e telekomanduar, apo “drone”, teksa lëviz mbi një stadium të tejmbushur me spektatorë gjatë një ndeshjeje të Europianit të kësaj vere në Francë. Ai mund të mbajë thjesht një kamera, por…ndoshta edhe kimikate toksike. E gjitha kjo, në shkelje të zonës së ndalimfluturimit për të tilla mjete gjatë ngjarjes më të madhe sportive në Europë.

Pikërisht kjo është frika kryesore, apo ajo që i druhen francezët pas sulmeve terroriste të nëntorit të vitit të kaluar, nga të cilat mbetën të vdekur 130 persona.

Për të i lënë asnjë mundësi kësaj imagjinate, organizatorët e “Euro 2016” njoftuan këtë të martë se një teknologji e re do të vihet në punë përgjatë turneut, nga 10 qershori deri më 10 korrik, në të 10 qytetet e Francës ku do të zhvillohen ndeshjet e kampionatit europian, në mënyrë që të mbrohen sportdashësit nga ndërhyrjet e padëshiruara nga ajri.

Në një intervistë për “Associated Press”, shefi i sigurisë së Europianit, Ziad Khoury tha se do të shpallen zona ndalimfluturimi, hapësirat mbi të 10 stadiumet ku do të zhvillohen ndeshjet, por edhe nëpër qendrat stërvitore të 24 ekipeve pjesëmarrëse në këtë ngjarje sportive.

“Kemi spikatur së fundi një përdorim të gjerë të ‘drone’-ve në shoqëritë e sotme”, tha Khoury, nga zyra e tij në Paris. “Ndaj dhe do të përcaktohen zona ndalimfluturimi mbi të gjitha fushat stërvitore dhe mbi të gjitha stadiumet, ndërsa do të ndërmerren masa të ashpra antidron, të cilat janë thuajse inovative. E gjitha kjo mbikëqyrje do të bëhet në bashkëpunim me shtetin, që do të ndërhyjë dhe do të sigurojë kontrollin e ‘drone’-ve, nëse të tilla pajisje shfaqen mbi qiejt tanë”.

Autoritetet franceze janë alarmuar nga dhjetëra pajisje të telekomanduara misterioze që kanë fluturuar mbi vende tepër sensitive, kryesisht mbi ndërtesat e aktiviteteve bërthamore, por edhe mbi instalacione ushtarake. Madje, ‘drone’ janë vërejtur edhe mbi pallatin presidencial francez. Në kundërpërgjigje dhe si masë paraprake përpara Europianit, qeveria po financon kërkimet teknologjike, që mund të sigurojnë ndërhyrjen ose bllokimin e sinjaleve që kontrollojnë të tilla pajisje, deri në shkatërrimin e tyre nëse do të jetë e nevojshme.

Top Channel