Shqipëria në Panairin e Torinos

17/05/2016 00:00

Sapo u mbyll në Torino Panairi i Librit, një prej më të rëndësishmëve në Europë. Shqipëria pati një përfaqësim shumë dinjitoz me një sërë aktivitetesh të organizuara nga Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Qendrën e Kulturës Shqiptare, prej vitesh aktive në këtë qytet.

Hapësira ekspozuese u vizitua gjatë inaugurimit nga kryebashkiaku i Torinos, Piero Fassino, dhe ministri i Kulturës Dario Franceschini, i cili takoi homologen e tij shqiptare, Mirela Kumbaron.

“Shqipëria vjen për të parën herë me një stendë zyrtare, të plotë dhe të shtrirë në të gjitha ditët. U prezantua me dy “pasaporta”: me atë të kulturës dhe të letërsisë shqipe”, tha Kumbaro.

Gjatë ditëve të panairit pati disa takime mbi kulturën dhe letërsinë shqiptare me panele shumë interesante, ku qenë të pranishëm autorë të ndryshëm shqiptarë si Anilda Ibrahimi, Roland Sejko, Visar Zhiti, apo shkrimtarë që kanë lidhje të ngushta me Shqipërinë: Alessandro Leogrande e Carmine Abate.

Këtë vit, panairi shënoi rritje të mëtejshme si për nga numri i vizitorëve ashtu edhe për shkëmbimet mes botuesve. Në bilancin përfundimtar organizatorët bënë të ditur se tanimë marrëdhëniet me Shqipërinë janë bërë aq të ngushta sa po punohet që tani për ta pasur si vend të ftuar nderi për edicionin e vitit 2017.

Top Channel