M. United, De Gea qëndron nëse largohet Van Gaal

17/05/2016 00:00

David De Gea bëhet sërish protagonist i lajmeve të merkatos. Portieri spanjoll i Manchester United ka shprehur dëshirën e tij për t’u larguar nga “Djajtë e Kuq” nëse në pankinën e kësaj skuadre do të vazhdojë të qëndrojë trajneri Van Gaal.

Sipas asaj që publikohet te “Daily Mail”, De Gea, i cili u shpalll për të tretën herë si portieri më i mirë në Premier League, nuk është i kënaqur me trajnerin holandez dhe nëse Manchester United vendos ta mbajë atë, atëherë ai do të kërkojë largimin e Van Gaalit.
 
Një tjetër aspekt që e shtyn De Gean të mendojë për largimin nga Manchester United është se skuadra angleze nuk do të luajë në Ligën e Kampioneve sezonin e ardhshëm, kështu që ideja për të qenë në radhët e Realit të Madridit e tundon jo pak portierin e përfaqësueses spanjolle. Problemi në këtë pikë qëndron te Keylor Navas, i cili nuk ka ndërmend që të largohet nga “Santiago Bernabeu” pas sezonit të shkëlqyer që ai bëri me “Los Blancos”.

Kështu që De Geas i mbetet të rrisë presionin te drejtuesit e klubit që të bëjnë një zgjedhje mes tij dhe Van Gaalit. Për t’u theksuar është se De Gea ka rinovuar kontratën me “Djajtë e Kuq”, ku përfshihet një klauzolë që e lejon atë të kalojë te Reali i Madridit për 50 milionë euro.

Tashmë pritet vendimi që do të marrë Manchester United, nga i cili varet edhe e ardhmja e Jose Mourinhos. Nëse portugezi do të caktohet në stolin e skuadrës angleze, atëherë edhe vetë De Gea mund të ndryshojë mendje dhe të vendosë të qëndrojë në “Old Trafford”.

Top Channel