Britania dhe BE-ja, Donald Tusk: Alternativa tjetër është kaosi politik

17/05/2016 00:00

Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, ka bërë të ditur se Britania e Madhe ka vetëm një alternativë tjetër përveç Bashkimit Europian, që është “kaosi politik”, ndërkohë që i ka quajtur absurde komentet e fundit të bëra nga ish-kryebashkiaku i Londrës, Boris Johnson.

Polaku Tusk ka qenë duke folur në mbrojtje të “vizionit të Europës”. Ai tha gjithashtu se nuk mund të qëndronte “i heshtur” pas atij krahasimi që Johnson u bëri qëllimeve të BE-së me ato të Hitlerit, madje shkoi deri atë sa u shpreh se ish-kryetari i Bashkisë së Londrës tregoi thjesht një “amnezi politike”.

Britania e Madhe zhvillon një referendum më 23 qershor, pas të cilit do të vendosë nëse do të qëndrojë në Bashkimin Europian apo do të dalë prej tij. Ndërkaq, ata që bëjnë fushatë në favor të daljes janë shprehur se, bashkimi i shefave të BE-së në debatin politik të referendumit britanik vetëm sa ndihmojnë në kauzën e tyre.

Tusk zgjodhi një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin danez për të bërë këtë ndërhyrje të tij, duke thënë se “nëse vetëmbrohesh, nuk do të thotë që t’i japësh leksione dikujt”.

“Qytetarët britanikë do ta marrin vet vendimin për kombin e tyre dhe nuk kanë nevojë as për thashetheme, veçanërisht nga Brukseli”, tha ai. “E kuptoj shumë mirë këtë. Por, kur dëgjoj që BE-në e krahasojnë me planet dhe projektet e Adolf Hitlerit, këtu nuk mund të hesht. Një argument kaq absurd duhet të injorohet tërësisht, pavarësisht se është bërë nga një prej figurave më influencuese të politikës britanike dhe partisë në pushtet”.

Tusk tha se Bashkimi Europian do të mbetet një “mburojë” kundër konflikteve mes vendeve europiane, duke thënë se e vërteta “banale” është se “alternativa e vetme për unionin dhe kontinentin është kaosi politik, rikthimi te egoizmat nacionale, e si pasojë triumfi i tendencave antidemokratike, që mund ta udhëheqin historinë drejt ripërsëritjes së vetvetes”.

Johnson, një prej figurave më të larta politike në favor të daljes nga BE-ja të Britanisë, shkaktoi debate dhe kritika të shumta kur tha se, si Hitleri edhe Napoleoni dështuan të unifikonin Europën, ndërsa BE-ja është thjesht një “përpjekje për të bërë të njëjtën gjë me metoda të ndryshme”.

Top Channel