Ferrari-Rosberg, bisedime për bashkëpunim në vitin 2017

17/05/2016 00:00

Kalimi i Nico Rosberg te Ferrari nuk është diçka e parealizueshme. Sipas asaj që publikohet në median italiane, piloti gjerman dhe drejtuesit e skuadrës italiane kanë qenë në kontakt me njëri-tjetrin për të parë nëse kalimi i pilotit gjerman te Kokëkuqja në vitin 2017 është i realizueshëm.

Është e qartë se Ferrari është vënë në kërkim të një piloti për të zëvendësuar Kimi Raikkonenin, duke qenë se Vettel është i paprekshëm. Finlandezi është 36 vjeç dhe kjo ka bërë që drejtuesit e skuderisë italiane të kërkojnë një tjetër pilot që të jetë në krah të Vettelit, dikë shumë të aftë dhe me shumë dëshirë për të fituar diçka të rëndësishme.

Nico Rosberg duket se është ai që ka profilin e kërkuar nga italianët. Piloti gjerman që deri në këtë sezon ka qenë gjithnjë i humbur kundrejt Hamiltonit duket se ka dalë nga guacka e tij dhe po tregon se nuk është i dyti i përjeshtëm. Për më tepër, te Ferrari mendohet se raporti mes Rosbergut e Vettelit mund të administrohet më lehtë në krahasim me pilotë të tillë si Hamilton apo Alonso.

Por jo vetëm kaq, Rosberg ka një kontratë me Mercedes që skadon në fund të sezonit dhe kërkimi i një skuadre tjetër është mëse e logjikshme pa harruar këtu edhe prestigjin që të jep drejtimi i një makine si Ferrari që shumë pilotë e cilësojnë si ëndrrën e tyre.

Top Channel