Bisedimet për Sirinë, Steinmeier: Do rikthejmë procesin politik

17/05/2016 00:00

Fuqi botërore e rajonale mblidhen në kryeqytetin austriak në një tjetër përpjekje për kapërcimin e ndasive kokëforta të fraksioneve siriane që kanë ndihmuar në rritjen e ekstremizmit islamik.

Europa e rikthen edhe një herë vëmendjen nga Siria me ministerialin e Vjenës, të fokusuar tek kalvari 5 vjeçar i vendit.

Në takim nuk pritet megjithatë të ketë një avancim të qenësishëm të përpjekjeve të paqes. Pjesëmarrësit më shumë do të fokusohen tek forcimi i armëpushimit tepër të lëkundur dhe tek përmirësimi i tentativave për shpërndarjen e ndihmave humanitare në zonat e rrethuara.
 
Sipas ministri të Jashtëm gjerman Frank Walter  Steinmeier grupet opozitare do të inkurajohen që të kthehen në tryezën e bisedimeve në Gjenevë.

“Ne duhet ta gjejmë një rrugë për rikthim në procesin politik. Gjithçka përqendrohet tek përmirësimi i kushteve të armëpushimit dhe ndihmës humanitare ndërsa përpiqemi të bindim opozitën të negociojë në Gjenevë me përfaqësuesit e regjimit te Assadit.”- deklaroi Steinmeier.

Ekspertë si  Bente Scheller megjithatë mendojnë se në Vjenë duhet të flitet për largimin e  këtij regjimi e jo thjesht për gjendjen humanitare në Siri.

“Ka pasur tre konferenca në Gjenëvë, por nuk është shënuar ndonjë përparim i madh”- shprehet Scheller, për këtë arsye, i meshon idesë se vëmendja tani duhet përqendruar tek mundësitë e një kalimi te pushtetit.

Top Channel