Policia australiane zhvillon operacione antiterror

17/05/2016 00:00

Policia antiterror e Australisë kreu disa operacione kontrolli në Melburn, në lidhje me 5 persona të akuzuar se po planifikonin që të udhëtonin drejt Sirisë për t’iu bashkuar Shtetit Islamik.

Personat në fjalë, që të gjithë meshkujt nga mosha 21 deri në 31 vjeç, u paditën në gjykatë me akuzat se po përgatiteshin të hynin në një vend të huaj për të zhvilluar aktiviteteve armiqësore, krim që sjell dënimin me burgim të përjetshëm.

Të dyshuarit që nuk janë identifikuar publikisht, u arrestuan javën e shkuar, ndërsa po bënin përgatitjet finale për t’u nisur drejt Sirisë.

Hetuesit thanë se ata planifikonin që të udhëtonin fshehurazi drejt Indonezisë dhe më pas që atje të vazhdonin rrugën për në Siri.

Në një tjetër incident në Sideni, policia australiane arrestoi një 18-vjeçar që po përgatiste sulme terroriste. Hetuesit thanë se i dyshuari po përpiqej që të blinte një armë zjarri, ndërsa planifikonte se ku duhet të kryente sulmin e tij në qytet.

Mësohet se adoleshenti kishte tentuar të largohej nga Australia drejt Sirisë, po ishte ndaluar dhe prandaj nisi që të planifikonte sulme në vend.

Top Channel