Instrumentet e tunxhit mbledhin për herë të parë në Tiranë në një event 5 ditor instrumentistë nga e gjithë bota, që nga Serbia e deri Australia në “Brass festival”.

Organizatorët e sjellin këtë nismë me synimin për të rikthyer sytë nga tradita e vlerat muzikore që sjellin këto vegla, të cilat në 25 vitet e fundit janë përqafuar gjithnjë e më pak nga artistët e rinj.

“Në fillimin e shekullit të kaluar Shqipëria ka pasur shumë instrumentistë tunxhi se sa ka sot. Në Shqipëri tani ka filluar të ngrihen instrumentet e frymës. Pikërisht “Brass festival” është një shembull shumë i mirë se si ne ti ringrejmë këto formacione”, shprehet Isak Shehu, dekan i UA.

Festivali shoqërohet edhe me ekspozitën e instrumenteve shqiptare, si një formë për t’u njohur nga afër me traditën. Një pjesë e instrumenteve janë riprodhime e një pjesë tjetër origjinale.

“Shohim instrumente që në vite kanë pësuar evolucion deri në kohët e sotme. Një pjesë e tyre janë drejt zhdukjes nga mospërdorimi i tyre. Do të ishte interesante pjesëmarrja për të shikuar dhe për të ringjallur kulturën shpirtërore shqiptare”, shprehet Ermal Sela, koleksionist.

“Brass festival” do të startojë më 17 maj në Teatrin e Operës, ku do të ngjitet “Prishtina Brass” e do të mbyllet me një mbrëmje të veçantë në Kodrat e Liqenit.

Top Channel