Dështimet e peshëngritjes, dyshime të forta për pjesëmarrjen në Rio

16/05/2016 00:00

Edhe pse gjatë drejtimit 4 vjeçar të federatës, 6 peshëngritës shqiptare u pezulluan për disa vjet për shkak të dopingut, duke vënë në rrezik dhe pjesëmarrjen e Shqipërisë në kompeticione europiane dhe botërore, Presidenti i saj Elez Gjoza u vlerësua me çmimin “Kollarja e Artë” nga presidenti i peshëngritjes Europiane, Antonio Urso.

Ky i fundit theksoi se vitin e ardhshëm, Shqipëria do të jetë sërish kryeqendra e peshëngritjes kontinentale.

“Komiteti ekzekutiv ka vendosur që Shqipëria të organizojë Europianin e 23 vjeçarëve”, tha Urso.

Nga ana e tij presidenti Gjozaj, pohoi se është keqinterpretuar deklarata e tij në lidhje me trajnerin e huaj që do të sillte në krye të kombëtares tonë. Pasi lavdëroi teknikët shqiptar, Gjozaj deklaroi se në Rio 2016, ekipi shqiptar do të ketë edhe 3 peshëngritës.

“Kemi siguruar pjesëmarrjen në këto lojëra olimpike me dy sportistë të kualifikuar: Qerimaj dhe me Briken Calen dhe një tjetër ftesë edhe për një peshëngritëse femër”, u shpreh Gjozaj.

Por, në bazë të rregulloreve të komiteti olimpik ndërkombëtar, ftesa për të marrë pjesë në Lojëra Olimpike mund të marrin vetëm ato shtete të cilat në 2 olimpiadat e fundit janë përfaqësuar nga 8 ose më pak sportistë.

Shqipëria nuk ndodhet në listën e vendeve që mund të marrin ftesë pasi në Pekin 2008 ne jemi përfaqësuar me 11 sportistë ndërsa në Londër 2012 me 10 sportistë.

Top Channel