F1, fituesit dhe humbësit e Barcelonës

16/05/2016 00:00

Zhurma e garës më të bukur të Botërorit të Formulës 1 për vitin 2016 nuk është shuar ende, por ky gjithsesi është një moment i mirë për të bërë disa balance. Dhe bilanci bëhet vetëm me dy tablo: fitues dhe humbës.

FITUESIT

Max Verstappen – Ishte thjesht i jashtëzakonshëm. Verstappen mund ta ketë shpresuar një podium, por kurrsesi, as në ëndrrën e tij më të bukur, nuk do të kishte menduar se do ta fitonte Çimimin e Madh të Spanjës. Sigurisht që situatat e krijuara e shtynë fatin në anën e tij, por kjo ishte vetëm gara e 24-t në karrierën e tij. Ishte gara e parë me një makinë Red Bull dhe sigurisht që ai është vetëm 18 vjeç. Askush më parë në këtë moshë nuk ka fituar një garë. Ai e meriton plotësisht këtë rekord , teksa arriti që të përballonte me shumë profesionalizëm një presion të jashtëzakonshëm nga një kampion bote, me dyfishin e moshës së tij, që ngulçonte nga pas për më shumë se gjysmën e garës.

Red Bull – Ata nuk ishin më të shpejtë se Ferrari, por treguan një klas të lartë për të pëballuar presionin që Kokëkuqja tregoi në garën që duhej të ishte e dominuar prej tyre. Në fakt, ata ishin të mrekullueshëm që në prova, duke e shtyrë Ferrarin në linjën e tretë. Sigurisht që zgjedhja e strategjisë me 3 pit stope për Ricciardon ishte një gabim, por mënyra se si u manaxhua gara e Verstappenit solli një sukses mëse të merituar.

Holandezët – Asnjë pilot holandez nuk kishte udhëhequr një garë të Formulës 1 deri kur Ricciardo në xhiron e 11 u detyrua të futej në pit stop, duke i dhënë rrugë Verstapenit të merrte kryesimin e përkohshëm, që rimori sërish pas pit stop-it të dytë dhe sërish në xhiron e 44-t, e deri kur u valëvit flamuri me katrore. Dhe në fund, ai u bë piloti më i ri që fiton një garë në F1, 18 vjeç, 7 muaj dhe 16 ditë, duke lëshuar sinjalin se një holandez do të lërë gjurmë në këtë sport.

10 fitues në Barcelonë – Fitorja e djeshme e Verstappenit vendosi një rekord të ri për pistën e Barcëlonës: në 10 vjet janë 10 fitues të ndryshëm. Një gjë e tillë nuk kishte ndodhur kurrë më parë në një pistë të Formulës.

HUMBËSIT
 
Mercedes – Limiti dukej se ishte qielli në fillimin e garës së Spanjës, pas një dite kualifikuese të çmendur, me Hamilton që rikthehej në pole dhe Rosberg gati për të sulmuar që nga fotoja zyrtare e kualifikueseve. Të gjitha problemet ishin lënë pas krahëve dhe Mercedesi, si shumë herë, mund të bënte një garë vetmitare, brenda skuadrës. Por gjithçka u zhbë. Starti i Hamiltonit ishte i mirë. Rosberg arriti gjithsesi ta parakalojë. Dhe për skuadrën nuk kishte asnjë problem se kush ishte i pari, të paktën deri në kthesën 4. Në harkun e 3 sekondave, 43 pikët e sigurta të Mercedesit u limituan me fotot e 2 makinave të copëtuara në cepin e pistës. Një ngjarje që sigurisht nuk do të harrohet lehtë nga bosi Dieter Zetsche.

Lewis Hamilton – Kampioni i botës në fuqi erdhi në Spanjë më i vendosur se kurrë për të rikthyer shpresat te titulli dhe kjo u duk nga pole brilant që bëri të shtunën. Por edhe një herë tjetër ai u mund në start dhe llogaritë bëhen sërish me rivalin e përjetshëm, Nico Rosberg. Gjermani mbetet sërish në krye me 39 pikë më shumë se Raikkonen dhe Hamilton zbret në vendin e tretë, i rrezikuar nga Ricciardo e Vettel. Nga sezoni më i gjatë në F1 ka edhe 16 gara për t’u zhvilluar, por ky nuk duket se është sezoni i duhur për 3 herë kampionin e botës.

Ferrari – Me gjithë “kërcënimin” e shefit të skuadrës Marchionne se “kjo do të ishte fundjavë e Ferrarit”, pamja e shpëlarë e Kokëkuqes u duk që në provat zyrtare, kur Red Bulli i shtyu të dyja makinat Ferrari në linjën e tretë. Por pas largimit të “shigjetave të argjendta”, të gjithë menduan se për Ferrarin u hap drita jeshile e suksesit. Në fakt, më të shpejta ishin se makinat Red Bull, por për asnjë moment nuk e treguan shpejtësinë e tyre në përballjet me Verstappenin e Ricciardon. Madje, gabimi u bë edhe më i madh kur zgjodhën që Vettel të ndiqte strategjinë me 3 pit stop-e të Ricciardos. Pas 5 garash tanimë është e qartë që Ferrari po xhiron në pistë me frenat e dorës të ngritura.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel